Ndërlidhjet

logo-print

SHOQATAT E GRAVE E VLERËSOJNË TË PADREJTË MOSPËRFSHIRJEN E TYRE NË GRUPIN NEGOCIATOR


Albana Isufi, Prishtinë

Gratë nuk duhet të jenë jashtë procesit të bisedimeve për statusin. Është ky përfundim i Organizatës Amnesty International, që përkrahet nga gratë kosovare.
Udhëheqësja e Alternativës Demokratike, Edita Tahiri thotë se ekipi negociator formalisht është në përbërje të mirë, por legjitimiteti i tij do të rritej nëse ka përfaqësim më të madh.
“Mendoj që vendi i gruas në proceset ku vendoset fati i Kosovës është i padiskutueshëm dhe mendoj që udhëheqësit kombëtarë duhet ta kenë parasysh, por edhe zoti Petersen".
Amnesty International ka bërë thirrje që në Grupin Negociator për statusin përfundimtar, përkrah pakicave të përfshihen edhe gratë. Kjo, sipas kësaj organizate, mund të bëhet edhe në grupet punuese të ekspertëve, që do të ishin pjesë integruese e ekipit negociues, i cili përbëhet nga krerët e institucioneve dhe partive kryesore politike shqiptare.
Një zgjerim i këtij grupi, sipas drejtoreshës së Qendrës për Trajnime dhe Studime Ginore, Arjeta Rexha, është kërkuar kohë më parë, por s’ka pasur përgjigje pozitive.
“Është e vërtetë që Grupi Negociator, përveçse ka filluar punën me vonesë, nuk është një grup i përbërë prej ekspertëve dhe nuk është i hapur. Lutja për të bërë pjesë në Grupin Negociator është bërë shumë kohë më parë, por nuk ka patur asnjë përgjigje. Ndërsa thirrja nga Amnesty International më duket si një thirrje për plotësimin e zbrazëtirave".
Zonja Tahiri ndjen se gratë në Kosovë ka kohë që janë injoruar, duke mos iu dhënë asnjë pozitë vendimarrëse.
"Shoqëria e Kosovës gruas nuk i ka dhënë vend në institucionet vendimmarrëse. Prandaj edhe të gjitha këto instanca prej kryetarit të vendit e deri tek kryetari i parlamentit apo kryeministri nuk ka femra, të gjithë janë meshkuj. Pra aty ka ndodhur injorimi i parë dhe kjo reflektohet tani tek Grupi Negociator."
Arjeta Rexha është kundër përfaqësimit të grave në institucione duke marrë për bazë përqindjen e obligueshme të caktuar nga mekanizmat ndërkombëtarë, duke e shndërruar kështu gruan vetëm në një shifër. Zonja Rexha thotë se në institucione duhet të përfshihen gratë që me të vërtetë kanë cilësi.
“Këtë thirrje e bëj për shkak të kuotave apo mekanizmave artificialë që po instalohen ditë pas dite në Kosovë, që të realizohet përfaqësimi gjinor. Këtu do të thotë që është një kalesë, e cila po bëhet një urë artificale mes burrave dhe grave në Kosovë. Ndërsa unë mendoj që statusi i Kosovës nuk është vetëm çështje e burrave, por është edhe çështje e grave. Duke qenë çështje e grave normalisht që edhe gruaja duhet të jetë pjesë e zgjidhjes përfundimtare".
Organizata Amnesty International në një deklaratë të publikuar me rastin e shënimit të Rezolutës 1325 për Gratë, Paqen dhe Sigurinë të OKB-së, u ka bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira në bisedimet për statusin e Kosovës, që të sigurojnë rritjen e përfaqësimit të grave në të gjitha nivelet vendimmarrëse.

XS
SM
MD
LG