Ndërlidhjet

logo-print

ANNAN KËRKON NGA KS QË AHTISAR DHE ROHAN TË JENË DREJTUESIT E NEGOCIATAVE PËR STATUSIN E KOSOVËS


Është bërë edhe një hap përpara drejt zyrtarizimit të kandidaturës së zotit Marti Ahtisari në detyrën e kryesuesit të bisedimeve për statusin e Kosovës. Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Stephane Dujarric, gjatë ditës në Nju Jork ka deklaruar:
"Sekretari i Përgjithshëm i shkruajti dje Këshillit të Sigurimit për atë se synon të emërojë zotin Marti Ahtisari, ish presidenti Finlandës si të dërguarin e tij të posaçëm për të udhëhequr procesin politik që do vendosë për statusin e ardhshëm të Kosovës. Në mbledhjen e 24 tetorit Këshilli i Sigurimit mbështeti përfundimet e Sekretarit të Përgjithshëm se ka ardhur koha për të kaluar në fazën tjetër të procesit politik në Kosovë", tha zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara.
Duke folur rreth kritereve të përzgjedhjes së zotit Ahtisari, Dujarric tha:
"Aftësitë e shkëlqyera ndërmjetësuese të zotit Ahtisari, aftësia e tij e dëshmuar për të udhëhequr, përvoja e tij e mëparshme me Kombet e Bashkuara dhe njohja e Ballkanit e bëjnë atë person ideal për këtë detyrë."
Më tej Kofi Annan i ka bërë të ditur Këshillit të Sigurimit se synon të emërojë si zëvendës të zotit Ahtisari, Albert Rohan, ish sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë. Ndërkaq duke folur për ecurinë e procesit të statusit zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Stephan Dujarriç theksoi:
"Procesi i statusit të ardhshëm do të zhvillohet në kontekstin e rezolutës 1244 dhe deklaratës përkatëse të Këshillit të Sigurimit."
Pas dërgimit të kërkesës zyrtare Këshillit të Sigurimit pritet që ky i fundit t'i përgjegjet kreut të Kombeve të Bashkuara dhe vetëm atëherë edhe zyrtarisht zoti Ahtisari do jetë kryenegociatori i bisedimeve për statusin e Kosovës.

Ilirjana Bajo

XS
SM
MD
LG