Ndërlidhjet

UNMIK-U DHE KFOR-I THONË SE NUK KANË NJOHURI PËR UPK-NË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Zgjidhja e statusit të Kosovës nuk mund të ndikohet nga kërcënimet e ndryshme, sikur që nuk mund të vendoset në mënyrë të njëanshme nga Prishtina apo nga Beogradi, kanë pohuar sot zyrtarët e UNMIK-ut, duke iu referuar dy komunikatave të botuar në mediat e sotme vendore, ku disa organizata që veten e prezantojnë si Ushtria për Pavarësinë e Kosovës e tjetra si Ushtria Kombëtare Shqiptare, ku e para e kërcënon Grupin Negociues që të punojë në shpalljen e pavarësisë, ose siç thuhet, ata do i pret një befasi jo e këndshme. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Neeraj Sing tha se informacionet për këtë organizatë, administrata ndërkombëtare i mëson përmes shtypit ditor dhe nuk di detaje të tjera. Por ajo që është më rëndësi në këtë proces, shtoi Sing, është që askush nuk mund të vendosë njëanshëm, qoftë edhe përmes kërcënimeve, për statusin e Kosovës:
“Statusi i Kosovës nuk do të zgjidhet në rrugë e aq më tepër në internet. Statusi nuk mund të zgjidhet njëanshëm nga Prishtina apo Beogradi dhe është e qartë që procesi do të vendoset në bisedimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit, si dhe nga mekanizmat ndërkombëtar si Grupi i Kontaktit, BE-ja dhe Këshilli i Sigurimit," theksoi zëdhënësi Sing.
Ndërkohë, zëdhënësi i KFOR-it, koloneli Pio Sabetta, tha se forca shumëkombëshe e NATO-s në Kosovë, nuk ka ndonjë informacion rreth kësaj organizate që veten e quan Ushtria për Pavarësinë e Kosovës, por në çdo rast, tha ai, KFOR-i do ta ndihmojë policinë në rast se do t’i kërkohet një gjë e tillë:
“Për momentin bëhet fjalë për një krim individual që nuk mund të ndikojë në situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë”, tha zëdhënësi i KFOR-it.
Ndërsa KFOR-i dhe policia thonë se janë duke hetuar në lidhje me informacionet se në pjesë të Kosovës janë vërejtur njerëz me maska që janë prezantuar si pjesëtarë të ashtuquajturës, Ushtria për Pavarësinë e Kosovës, në anën tjetër prania e tyre vërehet vetëm në mediat vendore, të cilat kohë pas kohe botojnë komunikatat e këtyre organizatave, nëpërmes të cilave zakonisht jepen mesazhe kërcënuese, qoftë për Grupin Negociues apo edhe për deputetë të parlamentit të Kosovës, nga të cilët kërkohet që të shpallin pavarësinë e Kosovës.



XS
SM
MD
LG