Ndërlidhjet

ANALISTËT NË TIRANË THONË SE ÇËSHTJA ÇAME NUK MUND TË INJOROHET


Alma Çupi, Tiranë

Pavarësisht se presidenti grek Papulias anulloi në momentet e fundit takimin me homologun e tij shqiptar Moisiu, për shkak të një tubimi paqësor të komunitetit çam në Sarandë, analistët në Tiranë janë të mendimit se çështja çame nuk mund të neglizhohet dhe se duhet të zgjidhet.
Enkel Demi, kryeredaktor i departamentit të informacionit në televizionin Klan, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka ardhur koha për një zgjidhje të drejtë të kërkesave të komunitetit çam.
"Mospërfillja e çështjes çame në mënyrë të njëanshme nga pala greke tregon ndonjëherë amatorizmin e politikës së Athinës zyrtare. Këtu bëhet fjalë për një histori të vërtetë, nuk bëhet fjalë për një histori që ka shekuj që ka ndodhur. Bëhet fjalë për një histori e cila ka vetëm 60 vjet që ka ndodhur. Është një genocid që është bërë në kurriz të popullsisë shqiptare të Çamërisë, i vërtetueshëm me dëshmi origjinale, i vërtetueshëm me foto, i vërtetueshëm me arkiva, i vërtetueshëm nga vetë pala greke".
Ndërsa gazetarja Briseida Mema thotë se pretestat paqësore të komunitetit çam nuk janë arsye për të anulluar takime të këtij niveli, dhe abrogimi i ligjit të luftës mes dy vendeve, ka hequr pengesat për të diskutuar problemin e pronave të çamëve.
"Ligji i luftës që ka ekzistuar mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk ekziston më si ligj lufte, është një ligj që ka penguar gjithashtu kthimin e pronave çame, megjithatë të gjitha këto janë probleme të kushtetutshmërisë dhe modaliteteve të caktuara ligjore, të cilat mbeten për t'u zgjidhur nga autoritetet greke".
Komentatori i gazetës Shekulli Adrian Thano thotë për Radion Evropa e Lirë gjithashtu se çështja çame nuk është shtruar me presionin e nevojshëm në takimet e zhvilluara deri tani mes dy vendeve.
"Duke qenë se Athinës i ka munguar vazhdimisht presioni mbi këtë çështje, cilado protestë, edhe në ato përmasa të vogla që ishte në Sarandë edhe paqësore, duket se u shkakton atyre nervozizëm. Në rast se kjo çështje do të ishte një çështje që prej kohësh do të ishte bërë temë e tavolinave të negociatave, unë besoj se protesta e djeshme do të ishte një gjë mëse e zakonshme. Por e përsëris që më duket si motiv zyrtar i pajustifikueshëm".
Çështja çame vazhdon të mbetet një problem 60 vjeçar mes Shqipërisë dhe Greqisë.

XS
SM
MD
LG