Ndërlidhjet

XHUFI: UNIKË RRETH PAVARËSISË SË KOSOVËS


Pëllumb Xhufi, deputet i LSI-së në kuvendin e Shqipërisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Xhufi si e vlerësoni ndërprerjen e vizitës së zotit Papulias në Shqipëri?

PËLLUMB XHUFI
Ishte një lajm i papritur dhe i padëshirueshëm sigurisht. Ngelet të shpresojmë se nuk do të ketë ndikim në zhvillimet e mëtejshme të dy vendeve, qoftë dhe në agjendën që parashikohet në raportet midis Tiranës dhe Athinës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush çfarë qëndrimi do të mbajë Greqia në kuadrin e përpjekjeve të Shqipërisë për nënshkrimin e Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit?

PËLLUMB XHUFI
Duke parë shtypin grek ka patur aluzione të hapura se kjo ngjarje do të kondicionojë në ecurinë e mëtejshme të Shqipërisë në përqasjen e saj evropiane. Nuk më duket i izoluar ky episod, pasi realisht ditët e fundit ka pasur një ofensivë të diplomacisë greke, jo vetëm në rastin tonë, por dhe ndaj vendeve të tjera përfshirë Maqedoninë dhe Turqinë, të cilat për problemet që këto dy vende kanë në marrëdhëniet dypalëshe me Greqinë, u është çuar i njëjti mesazh se Greqia do të rishohë kontributin e saj në përafrimin e këtyre vendeve me Bashkimin Evropian. Këto vende ashtu si dhe Shqipëria janë në marrëdhënie kontraktore me BE-në.

RADIO EVROPA E LIRË
Le të trajtojmë çështjen e statusit të Kosovës. Si i vlerësoni deri tani përpjekjet e diplomacisë ndërkombëtare, duke përfshirë këtu dhe emërimin e diplomatit Ahtisaari në krye të bisedimeve? Çfarë mund të arrihet?

PËLLUMB XHUFI
Unë e shoh vërtet të lavdërueshëm këtë intensitet diplomatik të diplomacisë ndërkombëtare për t'iu adresuar problemit të statusit të Kosovës, pra ka një ndërgjegjësim që status quo-ja e Kosovës nuk mund të shtyhet më tutje dhe i duhet dhënë statusi përfundimtar, ashtu siç përcaktohet dhe në rezolutën 12 44. Pra ne shqiptarët duhet ta shohim me shumë simpati dhe shpresë fillimin e bisedimeve për statusin.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni qëndrimin e grupit negociator të Kosovës, nisur dhe nga fakti se atje së fundi ka patur mosmarrëveshje?

PËLLUMB XHUFI
Nuk do t'i quaja mosmarrëveshje, aty ka një dialektikë marrëdhëniesh që përcaktohen edhe nga prejardhja e ndryshme e përbërësve të grupit negociator, që vijnë nga forca politike dhe institucione të ndryshme të Kosovës dhe është e paevitueshme dhe nuk është skandaloze që aty të ketë një dialektikë mendimesh në këtë fazë. Ajo që është e rëndësishme është se midis grupit negociator nuk ka dyshime për statusin dhe të ardhmen e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju jeni shprehur për nocionin e një pavarësie të shoqëruar, ndërkohë që Ministri i Jashtëm shqiptar Besnik Mustafaj, ka mbështetur pavarësinë e kushtëzuar. Ku qëndron dallimi mes tyre dhe cila do të ishte zgjidhja më e favorshme për statusin përfundimtar të Kosovës ?

PËLLUMB XHUFI
E konsideruar në distancë kohore, kjo deklaratë ka qenë e menjëherëshme, pasi ministri Mustafaj hodhi idenë në organizatën e OKB-së për pavarësi të kushtëzuar të Kosovës dhe përgjigja ime kur më pyetën, është se nëqoftëse duhet t'i vemë një shtojzë do të më duket më e drejtë pavarësia e shoqëruar. Ky term do t'i përgjigjej më mirë realitetit, pasi pavarësi e shoqëruar ose e asistuar më duket normale për një demokraci të re si do jetë Kosova kur të fitojë pavarësinë, sepse ka nevojë për të patur asistencën dhe monitorimin e komunitetit ndërkombëtar, e kuptuar kjo me një kuadër të një marrëdhënieje kontraktuale me Bashkimin Europian. Pra unë nuk kam thënë asgjë të re, por sigurisht ndryshimi edhe në atë moment ka qenë i madh, pasi pavarësi e shoqëruar kupton kontribute pozitive, kurse ajo e kushtëzuar ka një lloj penaliteti e dëgjuar në terma të themi adliteram. Por pas shpjegimeve që janë dhënë dhe deklarimeve të personaliteteve më të larta të shtetit shqiptar, përfshirë dhe presidentit Moisiu, si dhe shpjegimeve që ka dhënë vetë zoti Mustafaj, nuk ka ndonjë ndryshim esencial në idetë tona për këtë çështje.
Ajo që na bashkon të gjithëve është se gjithësecili e sheh Kosovën si një vend me sovranitet të plotë dhe një subjekt të marrëdhënieve ndërkombëtare. Pra Kosova do të jetë si çdo vend tjetër sovran që do të përfaqësohet në organizma të ndryshme ndërkombëtare, duke filluar që nga OKB-ja.

Intervistoi Suela Musta



XS
SM
MD
LG