Ndërlidhjet

logo-print

VETËM SHBA-TË MUND TË GARANTOJNË MBARËVAJTJEN E PROCESIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Mospajtimet e shprehura në takimin e djeshëm të Grupit të Kontaktit lidhur me kompetencat e të dërguarve të Kombeve të Bashkuara, atyre amerikanë, evropianë dhe rusë në bisedimet për statusin e Kosovës, mund të kenë ndikim të keq mbi procesin, ka vlerësuar Enver Hasani, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, duke komentuar mbledhjen e mbrëmshme të Grupit të Kontaktit. Zoti Hasani tha se pavarësisht nga ana formale të cilën Kombet e Bashkuara janë të prira ta respektojnë, asnjë problem i madh në Ballkan dhe Evropë nuk ka mundur të zgjidhet pa ndërhyrjen e fuqishme amerikane:
"Shikuar nga ana formale, problemi i Kosovës është kornizuar në rezolutën 1244. Megjithatë, nëqoftëse merret parasysh, jo vetëm kontributi në krijimin e paqes në Kosovës përmes rolit primar të SHBA, por edhe gjendja reale, percepcioni dhe disponimi real i kosovarëve. Këtu përgjithësisht është provuar nga praktika se problemet në Ballkan nuk kanë mundur të zgjidhen pa ndërhyrjen e fortë amerikane, as në fillim të shek.XX as në fund të shek. XX, dhe nuk ka pse të mos jetë kështu edhe kësaj radhe".
Zoti Hasani, madje mendon se po nuk u gjet formula e duhur e udhëheqjes së bisedimeve për statusin e Kosovës, ky proces mund të shkojë kah mossuksesi.
"Duhet të gjendet modalitete të cilat fuqizojnë realisht ata që janë të fuqishëm dhe kanë ndikim në procesin politik, sepse po nuk u reflektua gjendja reale e raportit në procesin e ndërmjetësimit, unë besoj se procesin e ndërmjetësimit do ta bëjë të njëanshëm dhe me gjasa reale të mossuksesit".
Përderisa përfaqësues të institucioneve të Kosovë sot nuk kanë dashur të prononcohen, qoftë për shkak të mungesës së informacioneve, qoftë për shkak të festës së Bajramit, përfaqësues të serbëve të Kosovës thanë se mospajtimet e djeshme lidhur me atë se kush duhet ta ketë rolin udhëheqës në bisedime janë para së gjithash problem i bashkësisë ndërkombëtare, por që dërgojnë një mesazh, tha Rangjel Nojkiq nga Lista Serbe:
"Kjo situatë e re flet për atë që sipas meje sugjeron që ky proces megjithatë do të ketë një raport qasje korrekte në kuptimin që ka vende të cilat përpiqen realisht ta shohin këtë problem," tha Rangjel Nojkiq, sipas të cilit krijohet një përshtypje sikur zoti Marti Ahtisaari po përpiqet ta luajë rolin që e ka pasur ambsadori Kai Eide me rastin e përpilimit të raportit për Kosovën
Sidoqoftë, zoti Enver Hasani mendon se një situatë e tillë lë hapësirë për shqetësim:
"Unë mendoj se është për t’u shqetësuar sepse fuqitë e mëdha siç janë SHBA, nuk janë çështje formale, por e ABC-së se si funksionon një shtet i fuqishëm dhe nuk është çështje përtej të cilës mund të bëhet kompromis dhe këtë e shoh si diçka që vështirëson procesin."
Ndërkohë, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës shumë herë në prononcimet e tyre të mëhershme kanë kërkuar që në procesin e bisedimeve për statusin e Kosovës të ketë një rol më të fuqishëm amerikan.
XS
SM
MD
LG