Ndërlidhjet

HAZIRI: DECENTRALIZIMI NUK MUND TË ZGJIDHË TË GJITHA PROBLEMET ETNIKE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Problemet të cilat ngarkojnë jetën e komunitetit serb në Kosovë nuk mund të pritet të zgjidhen vetëm përmes decentralizimit, ka thënë Ministri i Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Lutfi Haziri. Ai u ka bërë thirrje serbëve të kyçen në procesin aktual të decentralizimit, në mënyrë që të mundësohet shpallja edhe e dy pilot-komunave me shumicë serbe. Ministri Haziri thotë se decentralizimi është një proces i gjatë dhe nuk mund të mëtohet që përmes tij, serbët t’i realizojnë të gjitha kërkesat dhe ambiciet e tyre:
“Procesi i decentralizimit është afatgjatë, kërkon përfshirjen e shumë akterëve dhe në këtë rast edhe të bashkësive etnike. Por, nuk pretendohet që me këtë proces, të zgjidhen problemet etnike në Kosovë, përkundrazi ne ofrojmë vetëm një instrument, një mundësi që të zgjidhen një numër i madh i problemeve në kuptimin e vendimmarrjes dhe udhëheqjes në nivelin lokal, ndërsa pjesa tjetër është çështje e procesit. Unë shpresoj që në kuadër të procesit përfundimtar do të arrihet të rregullohet statusi i serbëve dhe decentralizimi është një prej mjeteve që do të shërben në këtë kontest, por nuk është por nuk është ekskluzive që vetëm kjo mund t’i realizojë gjithë këto interesa”, tha Haziri.

Ministri Haziri thotë po ashtu se tre pilot-komunat e konstatuara tashmë, ku bëjnë pjesë Hani i Elezit, Juniku dhe Mamusha, janë duke funksionuar sipas parashikimeve. Kurse Parteshi dhe Graçanica, nuk kanë arritur të shpallen ende, si pasojë e presioneve që vijnë nga Beogradi ndaj serbëve të Kosovës:
“Ndikimi që vjen nga Beogradi, apo qëndrimi zyrtar i qeverisë së Beogradit ka bërë që t’i irritojë apo t’i detyrojë në njëfarë forme të largohen nga ky projekt, nga ky proces që është interes i tyre dhe janë të pafuqishëm politikisht që ta kalojnë këtë prag të madh të presionit, diktatit që e kanë dhe të ofertës gjenerose që qeveria e Kosovës e ka bërë për ta”, tha ai.
Deri në zgjedhjet e ardhshme lokale, ministri Haziri thotë se nuk pritet të shpallen pilot-komuna të tjera. Ndërkohë që qeveria dhe Kuvendi, sipas tij, do të punojnë në krijimin e infrastrukturës së nevojshme ligjore, në mënyrë që pas fazës testuese të fillojë faza e reformave të tërësishme në pushtetin lokal:
“Ajo që ne do të jemi të fokusuar është reforma në pushtetin lokal, fokusimi në infrastrukturë ligjore, në adaptimin e ligjeve të cilat janë të domosdoshme që të funksionalizohet dhe vendoset një pushtet i qëndrueshëm lokal për të ardhmen. Sidoqoftë është mirë të shpjegohet se do të ketë më shumë komuna dhe më shumë nivele administrative në Kosovë në kuadër të pushtetit lokal”, tha ministri Lutfi Haziri.

Decentralizimi është potencuar vazhdimisht si një prej proceseve me prioritet në Kosovë. Mirëpo, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një proces afatgjatë, institucionet vendore nuk parashohin që ky proces mund të ndërlidhet me zgjidhjen e statusit të Kosovës, i cili besohet se mund të përcaktohet gjatë vitit të ardhshëm. Përkundrazi, në institucionet e Kosovës ka një bindje se decentralizimi i mirëfilltë mund të zbatohet vetëm pasi që statusi të jetë i zgjidhur.



XS
SM
MD
LG