Ndërlidhjet

logo-print

BUÇKOVSKI: MAQEDONIA NUK DUHET TË SHQETËSOHET NGA ZGJIDHJA E STATUSIT TË KOSOVËS


Zërijeta Hajro Jahjaga, Shkup

Kryeministri i Maqedonisë Bllavo Buçkovski ka deklaruar se nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është marrë mirënjohje me theks të veçantë për rolin konstruktiv që ka Maqedonia në rajon.
"Politika qeveritare ka marë përkrahje nga Shtetet e Bashkuara për zhvillimin e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimin rajonal, ndërtimin e mekanizmave parandalues për kanosjet e mundshme ndaj rajonit e të ngjashme," tha kryeministri i Maqedonisë Vllado Buçkovski duke shtuar:
"Kjo në mënyrë plotësuese vërteton se Maqedonia nuk duhet të jetë e shqetësuar për stabilitetin dhe sigurinë e saj, si dhe për integritetin dhe sovranitetin territorial nga procesi për zgjidhjen eventuale të statusit përfundimtar të Kosovës", tha Buçkovski.
I pyetur të komentojë deklaratat e disa përfaqësuesve ndërkombëtarë se kompromisi mes Beogradit dhe Prishtinës do të thotë pavarësi e kushtëzuar për Kosovën, kryeministri Buçkovski tha:
"Është e qartë se komuniteti ndërkombëtar insiston të gjendet një kompromis mes asaj që Prishtina zyrtare kërkon, pra pavarësinë e plotë për Kosovën dhe të menjëhershme, ndërkohë që Serbia thotë se tani për tani është e mundur diçka më tepër se autonomia. Në këtë dimension që janë të shtruara gjërat, është e qartë se në këtë mes duhet kërkuar zgjidhja e kompromisit", tha kryeministri Buçkovski, pas vizitës së tij disaditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilën e quajti si shumë të rëndësishme dhe historike.
Buçkovski tha se nga takimet e tij me krerët më të lartë shtetërorë amerikanë, përfshirë këtu edhe presidentin amerikan Xhorxh Bush, Maqedonia nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka marrë përkrahje për ndërtimin e suksesshëm të shoqërisë demokratike, shumë-etnike dhe shumë-kulturore. Siç bëri të ditur kryeministri, Maqedonia nga Uashingtoni ka marë mirënjohje edhe për të arriturat e saj në proceset integruese euroatlantike, si dhe për udhëheqjen e politikës së brendshme dhe asaj rajonale.
"Për më pak se një javë pres që të mbërrijë dhe vlerësimi pozitiv nga Komisioni Evropian lidhur me aplikimin e Maqedonisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo edhe më tej do t'i ndihmonte proceset reformuese në vend," vlerësoi Buçkovski.
Po ashtu, sipas tij këto mirënjohje nga Uashingtoni dhe Brukseli janë arsye të mjaftueshme që të tejkalohen interesat e politikës ditore dhe të gjithë potencialet e vendit të vihen në shërbim të arritjes së qëllimeve strategjike, anëtarësimit në NATO dhe BE.
XS
SM
MD
LG