Ndërlidhjet

PRISHTINË


"Sot është një moment shumë i rëndësishëm për Kosovën, jo vetëm për familjet kosovare, por të gjithë njerëzit dhe politikanët që të bashkohen dhe bashkarisht të shkojnë përpara" tha sot Shefi i Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Golberg, gjatë vizitës që i ka bërë Bashkësisë Islame në Kosovë, me rastin e Fiter Bajramit. Ai tha se "jemi miq të mëdhenj të Kosovës dhe do të vazhdojmë të provojmë t'i bashkojmë njerëzit, por kjo varet nga kosovarët dhe politikanët kosovarë të grupit për bisedime, që të punojnë së bashku".
"Kjo është ajo të cilën bashkësia ndërkombëtare do të dëshironte të shihte”, tha Golberg, pas takimit me kryetarin e Bashkësisë Islame, myftiun Naim Tërnava.
Me rastin e kësaj feste, Bashkësinë Islame e vizituan edhe udhëheqës të institucioneve dhe të partive politike.
Kryeministri Bajram Kosumi çmoi angazhimin e Bashkësisë Islame të Kosovës për krijimin e unitetit tek të gjithë kosovarët.
"Kjo është e rëndësishme sidomos tani kur po hyjmë në momentet më të rëndësishme të historisë së Kosovës" tha Kosumi duke u angazhuar për bashkëpunim në "procesin historik për Kosovën".
Për unitet ftoi edhe kryetari i Bashkësisë Islame Naim Tërnava. Ai tha se ky unitet duhet të jetë shprehje e gatishmërisë për të dhënë kontributin për krijimin e shtetit të Kosovës.
Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, pas vizitës në Bashkësinë Islame, bëri thirrje për kultivimin e tolerancës ndërfetare, qytetare dhe politike në Kosovë si dhe ftoi politikanët për unitet.
XS
SM
MD
LG