Ndërlidhjet

HALITI KËRKON QËNDRIM TË PËRBASHKËT MES KUVENDIT DHE UNMIK-UT PËR REZOLUTËN PËR PAVARËSI


Zijadin Gashi, Prishtinë

Puna rreth harmonizimit të tekstit të rezolutës së propozuar në Kuvendin e Kosovës, me të cilën i kërkohet Kuvendit të rikonfirmojë vullnetin e popullit për shtet të pavarur e sovran, është duke zgjatur që nga 3 tetori. Aktualisht, edhe pse është caktuar data 17 nëntor si afat i fundit deri kur kjo rezolutë duhet të procedohet në Kuvend për miratim, ajo ende nuk ka një tekst të harmonizuar. Deputeti Xhavit Haliti nga radhët e PDK-së, prej nga ka rrjedhur fillimisht nisma për miratimin e rezolutës, ka dalë me një propozim që të hënën, apo gjatë javës tjetër, të mbahet një takim i përbashkët i grupeve parlamentare dhe përfaqësuesve të UNMIK-ut, në mënyrë që teksti i rezolutës të unifikohet dhe njëkohësisht të jetë në harmoni edhe me Rezolutën 1244 dhe Kornizën Kushtetuese. Ai thotë se Kosovës i duhet një rezolutë para bisedimeve për statusin, por nuk i duhet një rezolutë që do të ishte në kundërshtim me bashkësinë ndërkombëtare:
“Në këtë mbledhje të thirret Zyra Ligjore e UNMIK-ut me qëllim që ne të mos futemi në krizë në raport me UNMIK-un, duke pas parasysh tani edhe situatën në të cilën është Kosova dhe kohën kur do të fillojnë bisedimet për të ardhmen e saj dhe bisedimet për statusin e Kosovës”, tha Haliti.
Lidhur me këtë kërkesë të deputetit Xhavit Haliti, zyrtarë të UNMIK-ut nuk janë prononcuar, duke sqaruar se nuk mund të flasin në emër të Zyrës Ligjore të Shefit të UNMIK-ut. Kështu që nuk dihet nëse administrata ndërkombëtare do ta pranojë këtë ftesë. Sidoqoftë, Haliti mendon se deputetët dhe grupet parlamentare, duhet të takohen dhe të dalin me një tekst të harmonizuar, në mënyrë që në Kuvend të mos paraqiten mospajtime lidhur me një qëndrim që sipas tij është unik i të gjitha partive politike:
“Konstatimi i kryetarit të Kuvendit ishte që teksti i kryetarëve të grupeve parlamentare dhe i komisioneve në fjalë, ndryshon në tërësi tekstin dhe kuptimin e rezolutës së propozuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së. Tani këtu ka probleme të cilat mund të diskutohen dhe për atë qëllim unë propozova që jo vetëm për këtë, por edhe shumë çështje të tjera ne kemi nevojë të mbajmë mbledhje edhe të komisioneve edhe të Kuvendit me dyer të mbyllura”, theksoi deputeti Haliti.
Rezoluta për rikonfirmimin e vullnetit të popullit të Kosovës për shtet të pavarur e sovran, në mes të tjerash është potencuar nga lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, si hyrje në procesin e bisedimeve për statusin, kështu që miratimi i saj, nga opozita shihet si hap përpara në përgatitjet e Prishtinës për negociatat rreth statusit. Grupi Negociues do të takohet të martën e ardhshme, ku do të ketë në agjendë formimin e grupeve punuese dhe miratimin e dokumenteve bazë për bisedimet.



XS
SM
MD
LG