Ndërlidhjet

logo-print

NUK DO ZHVILLOHET TAKIMI I KRYEMINISTRAVE RAJONALË NË PRISHTINË


Albana Isufi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës ka njoftuar sot se është shtyrë takimi joformal i paralajmëruar për nesër i kryeministrave të vendeve të rajonit. Në një komunikatë për media, qeveria ka njoftuar se takimi joformal i kryeministrave të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, do të mbahet në një të ardhme të afërt. Shefi për informim i zyrës së kryeministrit, Sylë Ukshini, thekson arsyet e shtyrjes së takimit.
“Ky takim joformal, i cili ishte i ftuar nga kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi dhe që ishte konfirmuar paraprakisht nga kryeministrat e vendeve fqinje, është shtyrë me kërkesën e kryeministrit të Maqedonisë Vllado Buçkovski."
Qeveria ka thënë se kryeministri i Maqedonisë ka kërkuar shtyrjen e takimit për shkak të angazhimeve të tij. Por, sipas mediave serbe kryeministrit maqedonas Vllado Buçkovskit, mosardhjen në Prishtinë ia ka kërkuar kryeministri serb Vojisllav Koshtunica, por edhe bashkësia ndërkombëtare, me qëllim që, siç është thënë, të mos provokohet Beogradi. Kryeministri Bajram Kosumi ka thënë më herët se në takim do të ishte i mirëseardhur edhe kryeministri serb Vojisllav Koshtunica, por këtij të fundit nuk i është dërguar ndonjë ftesë zyrtare.
Edhe kryeministri malazez, Millo Gjukanoviq, sipas mediave serbe ka vendosur që të mos vijë në Prishtinë, për shkak se një gjë e tillë i është kërkuar nga përfaqësuesit ndërkombëtarë. Zyrtarët e qeverisë së Kosovës kanë pohuar më herët se ka qenë pikërisht, bashkësia ndërkombëtare, që ka trimëruar mbajtjen e një takimi të tillë. Ndërkohë, shefi për informim në zyrën e kryeministrit, Sylë Ukshini, njofton se takimi megjithatë do të mbahet shumë shpejt.
“Nuk duhet marrë si diçka që nuk ekziston vullneti, për shkak se takimi është shtyrë për një kohë shumë të afërme. Takimi do të mbahet shumë shpejt."
Takimi joformal ka pasur për qëllim që të thellojë bashkëpunimin mes të 4 vendeve të rajonit. Në komunikatën e qeverisë thuhet se këtë përkushtim e kanë përsëritur sërish kryeministrat e rajonit. Sërish Sylë Ukshini:
“Të katër kryeministrat mbeten të përkushtuar për thellimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit të vendeve të rajonit, në funksion të krijimit të një imazhi të ri politik për rajonin dhe të hapjes së rrugës për integrime euroatlantike."
Iniciativa e kryeministrit Bajram Kosumi ka qenë që cdo dy muaj të mbahen takime joformale në nivel kryeministrash, me qëllim që të krijohet një klimë e re bashkëpunimi në rajon dhe të dërgohen mesazhe se këto vende qëndrojnë larg konflikteve.

XS
SM
MD
LG