Ndërlidhjet

SHQIPTARËT DHE SERBËT E KOSOVËS ME PERCEPTIME TË NDRYSHME LIDHUR PËR STATUSIN E KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Fillimi i procesit për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës, e ka gjetur shoqërinë kosovare me probleme të shumta dhe me shqetësimin se liderët politikë nuk janë mjaft të përgatitur për t’u përballur me seriozitetin e situatës. Megjithatë, pavarësisht nga problemet aktuale, bashkësia shqiptare e pret zgjidhjen me padurim zgjidhjen e statusit, ndërkohë që serbët e Kosovës e presin këtë me njëfarë droje.
Anton Berishaj, profesor i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës tha se ka një dallim ndërmjet qytetarëve dhe liderëve në këtë drejtim:
"Konsideroj se shoqëria shqiptare mezi e ka pritur dhe është deklaruar nëse flasim për masën, për popullin, por nuk jam i sigurt nëse edhe institucionet kosovare e kanë pritur të përgatitur pasi këtu ende mungon një infrastrukturë e domosdoshme e institucioneve përcjellëse, të cilat do të mund të ishin në shërbim të politikës,"
Zoti Berisha se mendonte para se gjithash për institucione dhe njerëz të cilët do të mund të angazhoheshin në grupe punuese paraprakisht:
"Siç kemi parë, grupi negociator, deri disa ditë para fillimit të procesit ka pasur probleme të cilat kanë reflektuar një pasiguri tonën, ose një përgatitje jo aq të mirë për fillimin e negociatave, të cilat s’do mend se janë shumë serioze".
Në anën tjetër, Dragisha Kërstoviq, një nga përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës mendon se bashkësia serbe e ka pritur me shumë shqetësim fillimin e këtyre bisedimeve:
"Frika ekziston nga zgjidhjet që mund të jenë të pafavorshme për bashkësinë serbe, përkatësisht ekziston frika nga imponimi eventual i pavarësisë së Kosovës," tha Dragisha Kërstoviq. Ai tha se një numër i madh i serbëve është i zhvendosur përkohësisht dhe ata njerëz mendojnë se nuk mund të kthehen në një Kosovë të pavarur dhe po ashtu edhe serbët që janë në Kosovë mendojnë se mbetja e tyre në një shtet të pavarur të Kosovës do të ishte i vështirë e ndoshta edhe i pamundur. Një shqetësim tjetër për bashkësinë serbe në Kosovë përbën edhe mungesa e një qëndrimi unik të përfaqësuesve serbë rreth të ardhmes së Kosovës:
"Unë mendoj se nuk ka unitet në mesin e liderëve politikë të serbëve të Kosovës dhe kryesisht secili prej tyre ka një koncept të vetin, kur është fjala për statusin përfundimtar të Kosovës," tha zoti Kërstoviq, për të shpjeguar se opsionet e tyre sillen nga qëndrimi i Beogradit për më shumë se autonomi dhe më pak se pavarësi për Kosovën e deri tek opsionet për ndarjen e Kosovës ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.
Sidoqoftë, përderisa një pjesë e madhe e serbëve statusin e Kosovës e pret duke pasur vetë statusin e refugjatëve, edhe shqiptarët kanë problemet e tyre, të cilat sipas sociologut Anton Berishaj janë më shumë të natyrës sociale:
"Ne faktikisht kemi probleme të shumta, kemi papunësi të madhe, kemi probleme me pakënaqësitë që po reflektohen për çdo ditë, me të ardhurat jashtëzakonisht të ulëta dhe një numër jashtëzakonisht të madh familjesh që jetojnë në varfëri të skajshme."
Zoti Berishaj tha se statusin nuk e kuptonte si një shkop magjik, i cili do të vijë dhe t’i zgjidhë problemet, por statusin duhet ta presim me punë. Duhet të përqendrohemi në krijimin e një infrastrukture, e cila do të na ndihmonte që aspiratat dhe synimet tona të shkojnë drejt realizimit, tha profesor Berishaj, sipas të cilit edhe shtyrja e zgjidhjes së statusit deri më tash, ka ndikuar në masë të madhe për pakënaqësitë dhe frustrimet e popullatës.



XS
SM
MD
LG