Ndërlidhjet

logo-print

FORMOHET GRUPI POLITIK QË DO TË HARTOJË PLATFORMËN PËR BISEDIME


Zijadin Gashi, Prishtinë

Grupi Negociator i Kosovës për statusin ka miratuar sot formimin e grupit politik të delegacionit. Ky grup, sipas një kumtese me shkrim të lëshuar pas takimit, është autorizuar të fillojë menjëherë punën rreth hartimit të platformës politike për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, mbi bazën e propozimeve që janë bërë deri më tani.
Ndërsa takimi është mbajtur me dyer të mbyllura, pas përfundimit të tij anëtarët e grupit nuk janë prononcuar për mediat. Kurse në kumtesën e përbashkët me shkrim thuhet se delegacioni i Kosovës po ashtu ka autorizuar grupin politik, që t’i intensifikojë përgatitjet e gjithanshme për procesin eventual negociator. Delegacioni i Kosovës është pajtuar gjithashtu që komunitetet dhe interesat e tyre të përfaqësohen në mekanizmat e punës së delegacionit.
Ndërkohë që udhëheqësi i PDK-së Hashim Thaçi, ka kumtuar më pas se ai i ka propozuar ekipit negociues platformën e palës së Kosovës për bisedimet, e cila mbështetet mbi parimet e vetëvendosjes dhe vullnetit të popullit të Kosovës për shtet të pavarur e sovran:
“Unë si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kam paraqitur sot me shkrim para anëtarëve të grupit negociator propozim platformën për Kosovën, për shtetin e pavarur e sovran të Kosovës. Është koha që t’i lëmë dallimet në mes nesh dhe të përqëndrohemi në arritjen e aspiratave tona për një jetë më të mirë, për gjeneratat tona dhe ato që vijnë pas nesh”, theksoi Thaçi.
Platforma e propozuar nga Hashim Thaçi pritet të diskutohet në kuadër të grupit politik, i cili do të formohet nga katër partitë më të mëdha politike në Kosovë, të cilat pritet që t’i paraqesin përfaqësuesit e tyre për këtë grup brenda një afati sa më të shkurtër.
Grupi negociues është ftuar të enjten dhe nga shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen në një darkë pune, ku do të trajtohen aspektet aktuale të përgatitjeve për të hyrë në bisedime në prag të vizitës së të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për bisedimet, Marti Ahtisaarit. Ndërkaq mbyllja dhe mos-komunikimi me mediat i grupit negociues, thuhet se është bërë me qëllim të ruajtjes së konfidencialitetit të punës së ekipit negociues.



XS
SM
MD
LG