Ndërlidhjet

SA LUFTOHET KORRUPSIONI NË INSTITUCIONET E KOSOVËS?


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ekzistimi apo jo i korrupsionit në institucionet e Kosovës është një çështje për të cilën vështirë mund të merren informacione zyrtare, pasi mungojnë mekanizmat që e përcjellin gjendjen në këtë fushë. Para së gjithash mungon Agjencioni Kosovar për Luftimin e Korrupsionit, që parashihet edhe me Ligjin Antikorrupsion të miratuar muaj më parë nga Kuvendi i Kosovës. Krenar Loshi, analist i programit në Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, UNDP, thotë se perceptimi i qytetarëve për korrupsionin është mjaft interesant, ku arsyeja themelore e korruptimit të zyrtarëve janë pagat e ulëta të shërbyesve civilë:
"Elementi kryesor është pagesa e ulët në sektorin publik, ku 48 përqind e të intervistuarve mendojnë se kjo është arsyeja pse ka korrupsion në institucionet tona. Përveç kësaj ka edhe raste si krizat morale që i ka shoqëria jonë, ose neglizhenca e sistemit të gjyqësisë, si dhe mungesa e legjislacionit".
Zoti Loshi thotë se raportet e UNDP-së thonë se ka një shkallë shumë të ulët të raportimit të korrupsionit në institucione, nga ana e qytetarëve që bien viktimë e korrupsionit dhe këtë ai e quan një dukuri tepër shqetësuese. Arsyet për një ngurrim të qytetarëve për të njoftuar lidhur me korrupsionin, zoti Loshi i sheh në mungesën e mekanizmave për këtë:
"Sipas të dhënave tona, më shumë është mungesa e mekanizmave se kujt t’i drejtohesh. Nuk ka institucion që është përgjegjës, si Agjencioni për Luftimin e Korrupsionit që ende nuk është themeluar, edhe pse ligji e parasheh themelimin e tij".
Sidoqoftë, pavarësisht se Ligji Antikorrupsion parashihte formimin e shpejtë të Agjencionit për Luftimin e Korrupsionit, kjo nuk është bërë as sot e kësaj dite. Analisti i UNDP-së, Krenar Loshi thotë se dy të tretat e ligjeve në Kosovë nuk janë zbatuar, qoftë për mungesë buxheti, qoftë për mungesë të shtytjes politike. Kjo e fundit është arsyeja kryesore që ka penguar themelimin deri më tash të Agjencionit për Luftimin e Korrupsionit, tha Loshi:
"Shtytja politike në të shumtën e rasteve mungon. Një prej arsyeve është mungesa shtytjes politike për themelimin e Agjencionit kundër Korrupsionit, domethënë është konsensusi politik që ka qenë një prej arsyeve pse nuk është themeluar deri më tash agjencioni, por kjo nuk do të thotë se nuk do të themelohet".
Ndërkohë, një fushatë në këtë drejtim e ka zhvilluar edhe zyra e kryeministrisë për qeverisje të mirë, me nismën e të cilës në ndërtesat qeveritare janë vënë mbishkrime ku shpjegohet se çka është korrupsioni, për të t’ua përkujtuar zyrtarëve dhe qytetarëve të drejtat dhe obligimet që kanë për ta luftuar korrupsionin.

XS
SM
MD
LG