Ndërlidhjet

UASHINGTON


Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Politike Nicholas Burns tha se Kosova mund ta arrijë pavarësinë vetëm nëse shqiptarët shumicë tregojnë se mund të qeverisin drejt dhe me efikasitet. Burns i tha Komitetit të Senatit për Marrëdhënie të Jashtme se nuk është detyra e tij të rekomandojë nëse Kosova duhet të bëhet e pavarur, apo të mbetet pjesë e Serbisë, por shtoi se viti 2006 do të jetë vendimtar për Kosovën dhe Ballkanin.
"Shqiptarët e Kosovës, duhet të na dëshmojnë neve- bashkësisë ndërkombëtare, se ata mund të qeverisin në mënyrë demokratike, se mund të qeverisin në mënyrë efektive, dhe se mund ta krijojnë një Kosovë, e cila do t'i mbrojë të drejtat e popujve pakicë", tha Burns.
Ai paralajmëroi se NATO-ja "do të përdorë forcën nëse dhuna përdoret si taktikë politike" nga cila do palë kur të fillojnë bisedimet.
Burns gjithashtu tha se do të ishte "kalkulim shumë i gabuar" për Beogradin, nëse do t'u kërkonte serbëve të Kosovës ta bojkotojnë procesin, dhe shtoi se shqiptarët duhet të sigurojnë që serbët e Kosovës "ta kenë ardhmërinë" në këtë vend.
Burns tha se Kosova e pavarur apo Kosova autonome e lidhur me Serbinë mund të jenë zgjidhje të mundshme, por shtoi se nuk ka asnjë gjasë për ndarjen e Kosovës apo krijimin e një "Shqipërie të Madhe", që do të përfshinte edhe Kosovën.
Ish ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara Richard Holbrooke tha se "Kosova do të bëhet e pavarur vetëm nëse qeveria e udhëhequr nga shqiptarët, i jep garanca të forta minoritetit serb".
"Unë nuk shoh kurrfarë statusi final për Kosovën përveç pavarësisë përfundimtare. Por njëkohësisht, kjo nuk mund të arrihet pa garanca të forta për sigurinë dhe mbrojtjen e të drejtave të serbëve që jetojnë në Kosovë", tha Holbrooke.
"Pavarësia nuk mund të vijë thjesht duke zëvendësuar njërën formë të shtypjes me tjetër", tha Holbrooke, duke shtuar se angazhimet amerikane gjetkë nuk duhet ta lënë mënjanë rajonin.
"E dij se ka të atillë në qeverinë amerikane, të cilët e vënë në pyetje këtë qëndrim, sidomos shkaku i angazhimit tejet të madh të trupave në Irak dhe në Afganistan. Por mu për këtë arsye është shumë e rëndësishme t'i tregojmë botës se nuk heqim dorë nga përkushtimet tona. Ne duhet ta përfundojmë punën, në të kundërtën çmimi do të jetë edhe më i lartë", tha Richard Holbrooke.
Senatori Joseph Biden tha se shqiptarët dhe serbët po hyjnë në bisedime duke e mbajtur barrën e rëndë 800-vjeçare të konfliktit sektar. Shqiptarët duhet të shfaqin "fleksibilitet substancial, që jam i sigurtë se nuk ekziston", tha ai. Njëkohësisht, shtoi senatori Biden, serbët duhet të "mos kapen te artefaktet teritoriale të së kaluarës".
XS
SM
MD
LG