Ndërlidhjet

MILO:TIRANA TË MBËSHTESË PAVARËSINË E KOSOVËS


Paskal Milo, ish Ministër i Jashtëm i Shqipërisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Milo, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë është shprehur për pavarësi të kushtëzuar të Kosovës. Si e gjykoni këtë deklaratë që është pritur me kritika si në Prishtinë ashtu dhe në Tiranë?

PASKAL MILO
Deklaratat e zotit Mustafaj si Ministër i Punëve të Jashtme nuk janë mirëpritur në Kosovë pikërisht për këtë shkak. Por edhe unë kam deklaruar se deklaratat e zotit Mustafaj u bënë në një kohë të papërshtatshme dhe të panevojshme. Qeveria aktuale shqiptare për mendimin tim duhej t'i përmbahej në mënyrë konsekuente qëndrimeve të shtetit shqiptar, të cilat gjithnjë kanë mbështetur opsionin e përpunuar në Kosovë nga forcat politike atje, duke mbështetur çdo zgjidhje që realizon më së miri shprehjen e vullnetit të lirë të popullit të Kosovës. Si ish ministër i jashtëm në një periudhë historike të paharrueshme të kohës së konfliktit në Kosovë, unë jam familjarizuar me këtë çështje dhe jo vetëm si politikan dhe ish ministër i jashtëm, por edhe si historian. Për rrjedhojë unë mendoj që çfarëdo që të bëhet dhe sido që të bëhet, tendenca e zhvillimit historik është e pakthyeshme dhe Kosova do të bëhet një vend i pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur vjen puna për Kosovën, zyrtarët e lartë në Shqipëri kanë deklarata të ndryshme. Presidenti Alfred Moisiu flet për pavarësi të saj, kryeministri Berisha për respektimin e vullnetit të popullit të Kosovës dhe ministri i jashtëm për pavarësi të Kushtëzuar. Si e shpjegoni faktin që nuk ka një deklarim unik për këtë çështje madhore?

PASKAL MILO
Sigurisht faktori ndërkombëtar mund të kërkojë nga përfaqësuesit e qeverisë shqiptare që të bëjnë disa deklarime që mund të shkojnë në favor të opsioneve të tyre për Kosovën e ardhshme. Por qeveria shqiptare dhe institucionet e shtetit shqiptar, nuk duhet të mbështesin çdo gjë që vjen nga faktorët ndërkombëtarë. Jo pse ata mund të kenë qëndrime të ndryshme nga tonat, ose që mund të jenë në kundërshtim me interesat themelore të shqiptarëve. Por Shqipëria si vend amë, ku vazhdimisht shqiptarët e Kosovës kanë gjetur një mbështetje të plotë, nuk duhet që të jenë të parët që të shfaqin opsionin e tyre se si duhet të jetë pavarësia e ardhshme e Kosovës, e kushtëzuar apo e pakushtëzuar. Ata duhet të jenë të fundit që duhet të shprehen nëse ka rezerva për këtë pavarësi dhe të luftojnë për të mbështetur qëndrimet maksimaliste të shqiptarëve të Kosovës. Këto synime mund të mos realizohen, por nuk duhet të jemi ne shqiptarët e Shqipërisë dhe institucionet e shtetit shqiptar, përfshirë këtu dhe qeverinë, që të japim vlerësime apo të shprehim konsiderata minimaliste për të ardhmen e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Milo, si një diplomat i vjetër, sipas jush si ka qenë diplomacia shqiptare në këto vitet e fundit për sa i përket çështjes së Kosovës dhe realisht a ka ndikim ajo çka thuhet në Shqipëri apo politika që bëhet në Shqipëri për çështjen e pavarësisë së Kosovës?

PASKAL MILO
Patjetër që zëri i Shqipërisë dhe i institucioneve të shtetit shqiptar është çmuar në Kosovë dhe kjo arsye dhe pesha e Shqipërisë për çështjen e Kosovës që i detyron shqiptarët në Kosovë që t'i mbajnë sytë edhe nga Tirana, që të dëgjojnë me vëmendje edhe çfarë thuhet në Tiranë për çështjen e Kosovës. Sepse përndryshe, nëse Shqipëria nuk do të kishte peshë dhe influencë atëhere nuk ka pse të dëgjoheshin as Shqipëria as politikanët shqiptarë dhe as të ndiqeshin televizionet shqiptare apo dhe mediat shqiptare për çfarë ata thonë dhe vlerësojnë për Kosovën. Kështu që unë mendoj se Shqipëria ka një rol të rëndësishëm për të luajtur edhe tani në procesin përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Të premten deputetët e Kuvendit të Shqipërisë do të mblidhen për të miratuar një rezolutë për Kosovën. Çfarë pritet nga kjo rezolutë?

PASKAL MILO
Qeveria shqiptare dhe institucionet e shtetit shqiptar, ashtu siç do bëjë parlamenti shqiptar ditën e premte, duhet të qëndrojnë fort në mbështetje të opsioneve që vijnë nga Prishtina, nga forcat politike dhe nga institucionet e Kosovës përsa i përket çështjes së statusit. Kështu që unë besoj që në këtë fazë delikate të përcaktimit të të ardhmes së Kosovës, politikanët shqiptarë, partitë, institucionet dhe në mënyrë të veçantë qeveria shqiptare, duhet që t'u qëndrojnë afër shqiptarëve të Kosovës, t'i mbështetin ata fuqimisht, të bëjnë një lobing tek faktorët ndërkombëtarë, me qëllim që shqiptarët e Kosovës të mos ndihen të vetmuar në përpjekjet e tyre të mëdha dhe në sfidën që kanë përpara, por të ndjehemi të bashkuar për një synim dhe qëllim të vetëm që është pavarësia e Kosovës.

Intervistoi: Alma Çupi

XS
SM
MD
LG