Ndërlidhjet

logo-print

FËMIJËT E PAKICAVE KOMBËTARE PËRBALLEN ME SFIDA TË MËDHA NË ARSIM


NadieAhmeti, Prishtinë

Kushtet në të cilat mësojnë fëmijët që u përkasin pakicave kombëtare në Kosovë ndryshojnë varësisht nga përkatësia e tyre etnike. Përfaqësuesit e institucioneve që merren me këtë çështje thonë se fëmijët e komunitetit rom, ashkalinj dhe egjiptas, në krahasim me fëmijët e pakicave të tjera janë në gjendje më të keqe të shkollimit. Afërdita Spahiu, udhëheqëse e programit për arsim në Fondacionin për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara, që shkurtimisht njihet me emrin UNICEF, thotë se këta fëmijë në shkollë nuk shkojnë për shkak të nivelit të ulët të vetëdijes për rëndësinë e shkollimit, për shkak të kushteve të rënda ekonomike dhe pamundësisë për të mësuar në gjuhën e tyre amëtare.
"Njëri nga shkaqet pse të gjithë fëmijët nuk shkojnë në shkollë, kur flasim për këto grupe, janë sepse nuk kanë mësimdhënës para vetes, do të thotë shumë pak ka mësimdhënës rom, ashkalinj, dhe egjiptas,” tha zonja Spahiu.
Esna Basholli, zyrtare për komunitetet në Ministrinë e Arsimit, thotë se pikërisht për këtë arsye, Ministria e Arsimit ka përpiluar programe emergjente, duke formuar klasa intensive, në mënyrë që fëmijët e këtyre komuniteteve të vijojnë mësimin.
“Këto projekte kanë qenë të përshpejtuar, ku brenda 9 muajsh kanë fituar dy klasë. Për momentin është në përfundim një projekt që është zhvilluar në tetë komuna ku kanë qenë të përfshirë afër 700 nxënës. Një e mirë në këtë projekt është se nga ana e MASH-i është lejuar që këta fëmijë të vazhdojnë edhe klasën e nëntë në komunën e Lipjanit,” tha zonja Basholli.
Për fëmijët e komunitetit serb ndërkaq ekzistojnë të dhëna të tjera nga ato që janë mbledhur në sistemin e arsimit në Kosovë. Fevzi Berisha, zëvendësministër i arsimit, thotë se fëmijët e komunitetit serb deri më tash nuk kanë pranuar të përfshihen në sistemin e arsimit të Kosovës, edhe përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të kësaj ministrie.
“Shpresoj dhe besoj se mësimdhënësit dhe nxënësit e komunitetit serb, do të kuptojnë realitetin e ri dhe do të kyçen në sistemin e ri arsimor, sepse ky sistem i ri arsimor nuk ka kurrfarë ndikimi, që të bëjë diskriminim ndaj askujt. Por është një sistem që i ofron të drejta të barabarta të gjitha komuniteteve. Nuk ka vërejtje në sistemin arsimor, por janë të ndikuar nga një politikë që ka qenë edhe më herët, politika e Beogradit,” tha zoti Berisha.
Megjithatë, problem kryesor në shkollat të cilat gjenden në mjediset e banuara me shumicë serbe është mungesa e hapësirë dhe nevoja e organizmit të udhëtimit të nxënësve nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas. Kështu pohon Gligorije Stojanoviç, drejtor i shkollës fillore “Mbreti Millutin” në Graçanicë.
"Mendoj që gjendja ekzistuese është e papërballueshme dhe gjatë këtyre viteve është dashur që dikush të na ndihmojë, UNMIK-u, KFOR-i apo shteti i Serbisë. Dikush është dashur të shqetësohet për këtë e para se gjithash strukturat nga qyteti i Prishtinës, sepse edhe pse momentalisht nuk ka kushte që fëmijët serbë të ndjekin procesin mësimor në Prishtinë. Është dashur që të ndërtohet një objekt i ri shkollor në mënyrë që të hiqet ngarkesa nga shkolla ekzistuese," thotë zoti Stojanoviç.
Në pozitë më të favorshme nga të gjitha pakicat kombëtare duket të jenë fëmijët e komunitetit boshnjak, goran dhe turk. Zonja Spahiu nga organizata UNICEF, thotë se përfshirja e tyre në shkollë është në nivelin qind përqind
“Për ta nuk është problematike çështja e arsimit. Ata e vijojnë arsimin në gjuhën e tyre amtare edhe pse ka probleme më kuadër mësimor, tash se fundi edhe më tekste arsimore,” tha zonja Spahiu.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës në korrik të vitit 2002 ka miratuar ligjin e arsimit fillor dhe të mesëm, sipas të cilit, Ministria e Arsimit është e obliguar që të gjithë fëmijëve në Kosovë t’u sigurojë një shkollim cilësor.
XS
SM
MD
LG