Ndërlidhjet

logo-print

RULI: EVITOHET KOLAPSI ENERGJETIK


Genc Ruli, Ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ruli, si paraqitet aktualisht gjendja energjetike në Shqipëri? A është vendi pranë një kolapsi?

GENC RULI
Padyshim, sidomos në situatën që ishte javën e kaluar, vendi ishte pikërisht në prag të një kolapsi, për arsye se prodhimi i energjetik i vendit, i cili dihet se prodhohet nga hidrocentralet, për shkak dhe të thatësirës së zgjatur dhe të harxhimit tepër intensiv të ujit të rezervuarëve të hidrocentraleve, po shkonte drejt rënies së tij drastike. Nga ana tjetër sasitë e importit të nevojshme për të mbuluar këtë periudhë, nuk ishin siguruar që në kohën e duhur, që në maj dhe që në qershor, kështu që na lanë zbuluar për mjaft ditë të tëra, duke e mbështetur kryesisht përballimin e kërkesës së konsumatorëve vetëm nga prodhimi vendas. Mendoj që e kemi kaluar pikën më të vështirë, për faktin se në sajë të një angazhimi intensiv të qeverisë dhe të vetë strukturave të KESH-it, kemi arritur tashmë të kontraktojmë sasinë e energjisë nga importi, për të përballuar kërkesën konsumatore në muajt nëntor dhe dhjetor. Madje kemi planifikuar një sasi më të rritur importi, duke parashikuar që prodhimi vendas në qoftë se vazhdon thatësira do jetë gjithmonë në rënie.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga cilat vende po importohet aktualisht energjia për Shqipërinë?

GENC RULI
Ne jemi duke importuar nga disa vende. Jemi duke importuar nga Bullgaria, nga Rumania, nga Greqia, nga Italia, nga Kroacia pra pothuajse nga të gjitha vendet e Ballkanit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ministër sa mendoni ju se do të ndikojë kjo situatë energjetike në marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e rajonit? Çfarë kushtëzimesh mund të lindin në këto marrëdhënie?

GENC RULI
Deri tani kemi gjetur vetëm kushtëzime do të thoja pozitive, në kuptimin se kemi gjetur një gatishmëri dhe një vullnet politik për të na ndihmuar për këtë situatë të vështirë. Vendet fqinje të rajonit e kanë kuptuar shkallën e vështirësisë që kalon Shqipëria në këtë moment, por sigurisht ne nuk planifikojmë që në të ardhmen të përdorim sërisht influencat politike. Ne do të hyjmë në tregun e energjisë elektrike në mënyrë tregtare. KESH-in po e aftësojmë për të qenë i pranishëm në këtë treg dhe për të siguruar me kohë energjinë e importit, sigurisht në periudhat më të mira, të cilat janë muajt e parë të vitit.

RADIO EVROPA E LIRË
Vitet e fundit Shqipëria përballet pothuajse çdo vit me krizë energjetike. A do të ketë një strategji nga ana e qeverisë Berisha për të patur një furnizim normal gjatë viteve të ardhshme?

GENC RULI
Sistemi energjetik ka vite të paktën që nga viti 1996 që është në një krizë permanente, e cila në momente të caktuara kulmohet më shumë sikundër qe viti 2001-2002, apo sikundër qe fundi i vitit 2005. Por në vetvete unë do të thoja që nuk janë marrë masa serioze nga qeveritë paraardhëse për të ecur në drejtim të zgjidhjes strategjike të problemit. Pra e vetmja gjë e mirë, do të thoja, që kishte kjo krizë, është se e fokusoi në agjendë si një element parësor ndërhyrjen dhe reformat në sektorin energjetik. Problemi nuk zgjidhet me ndërhyrje afatshkurtra. Ne kështu vetëm plotësuar kërkesën konsumatore, por s'i kemi dhënë një zgjidhje permanente problemit. Do të ketë një strategji afatmesme, që do të ketë të bëjë me adresimin e problemeve më të ngutshme për të dalë nga kjo vartësi kaq fatale nga importi dhe nga rreshjet dhe në një strategji më afatgjatë ne duhet të jemi një vend që të ketë burime të mjaftueshme energjetike për të mbështetur rritjen e tij ekonomike dhe zhvillimin e gjithanshëm të tij.

Intervistoi Suela Musta



XS
SM
MD
LG