Ndërlidhjet

MOORE:"ZGJIDHJET GJYSMAKE PËR KOSOVËN NUK DO TË FUNKSIONOJNË"


Patric MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Uashingtoni , Brukseli dhe qendrat e tjera kohëve të fundit në vazhdimësi po apostrofojnë kompromisin kur bëhet fjalë për statusin e Kosovës. Ç'do të thotë në këtë rast kompromisi?

PATRICK MOORE
Ky diskutim nuk është i ri. Ka qenë i përmendur prej disa kohësh dhe daton mendoj në verën e këtij viti ose ndoshta dhe më herët. Sipas mendimit tim, apo asaj që kuptoj unë, kjo që do të thotë është se do të ketë njëlloj pavarësie, por me kontroll ndërkombëtar për sigurinë e pakicave. Çështja këtu është nëse i gjithë sovraniteti i një Kosove të pavarur do të kufizohet, sepse nëse do të jetë shumë i kufizuar, atëhere do të jetë gabim. Problemi sot nuk është një cungim sovraniteti, por një mungesë e sovranitetit. Por, ajo që të huajt tashmë e kanë kuptuar është që status quo nuk mund të vazhdojë më.

RADIO EVROPA E LIRË
Burime diplomatike thonë që tashmë ekziston koncensusi që Kosova të ketë "pavarësi të mbikqyrur", me një monitorim ndërkombëtar për trajtimin e serbëve dhe pakicave të tjera dhe me prani të NATO-s në vitet e ardhshme. Ç'do të thotë në fakt "pavarësia e mbikqyrur"?

PATRICK MOORE
Kjo sërish është një ide tjetër shumë e çudishtme. Ajo që mendoj se do të thotë është që të huajt do të vazhdojnë të kenë njëfarë autoriteti për mbikqyrjen siç e thashë të çështjeve të pakicave dhe çështjet përkatëse fetare. Çështja do qëndrojë në atë se sa larg do të shkojë kjo mbikqyrje. Për shembull a do të kenë të huajt autoritet të plotë të sigurisë në terren apo pushtete për të mbisunduar institucionet vendore, siç e ka përfaqësuesi i lartë i OKB-së në Bosnje? E gjithë kjo është bërë si ajo puna e shishes, nëse është gjysëm e mbushur ose gjysëm e zbrazur. Mendoj se të huajt duhet ta kenë marrë mësimin që asnjë masë gjysmake nuk do të funksionojë. E kemi parë këtë në Bosnje në këto 10 vitet e fundit.

RADIO EVROPA E LIRË
Aktuale është edhe çështja e Malit të Zi. A ka ndonjë ndërlidhje ndërmjet statusit të Kosovës dhe të Malit të Zi?

PATRICK MOORE
Qoftë kur flasim për Kosovën qoftë kur flasim për Malin e Zi çështja është e njëjtë pasi njerëzit duan t'i drejtojnë vetë gjërat e tyre dhe nuk duan që të huajt t'u tregojnë se si duhet të bëjnë. Kjo vlen si për Ballkanin ashtu dhe për të gjitha vendet e botës. Të dyja si Kosova dhe Mali i Zi duan që të shkëputen nga mbetja e ish-Jugosllavisë dhe të shkëputin çështjet e të ardhmes së tyre nga njëri tjetri. Kjo do të thotë se malazezët nuk duan ndonjë diskutim të pavarësisë së tyre që të trajtohet së bashku me Kosovën. E njëjta gjë mendoj se është edhe në anën tjetër që kosovarët nuk duan që pavarësia e tyre të lidhet me atë të Malit të Zi. Problemi këtu qëndron te një obsesion i Bashkimit Evropian kundër krijimit të asaj që ata i konsiderojnë shtete të të vogla të panevojshme. Por, çështja e vërtetë është se Bashkimi Evropian nuk mund ta pranojë që dështoi në përpjekjet e veta që të mbante të bashkuar Jugosllavinë në 1990 dhe 1991 dhe po përpiqet të kompensojë këtë siç e konsiderojnë ata dështim të vetin. Megjithatë ky nuk ishte dështim i tyre, sepse historia nuk mund të pengohet. Nuk i takon Brukselit apo dikujt tjetër sot që të përpiqet të kthejë prapa parimin botëror të pas vitit 1945 për pavarësi mbi bazën e vetëvendosjes dhe sundimit të shumicës dhe trendet rajonale te pas viteve 1990 të shpërbërjes së ish Jugosllavisë.

Intervistoi: Melazim KOCI

XS
SM
MD
LG