Ndërlidhjet

logo-print

RUPNIK: PAVARËSIA E KUSHTËZUAR EVITON COPËTIMIN OSE KTHIMIN E KOSOVËS NËN PUSHTETIN E BEOGRADIT


Jacques Rupnik, ekspert pranë Institutit të Studimeve Politike në Paris

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rupnik, nëse e shohim nga distanca e sotme kohore si shpjegohet që ish Jugosllavia, i ashtëquajturi vendi më liberal komunist në vend të një tranzicioni drejt kapitalizmit u zhyt në luftëra?

JACQUES RUPNIK
Arsyeja kryesore është se Jugosllavia përjetoi shpërbërjen e sistemit komunist dhe shpërbërjen e shtetit federal njëherësh. Jugosllavia ishte një shtet shumëetnik i mbajtur sëbashku nga dora e fortë e Titos dhe partisë komuniste. Ne kishim shkallë të ndryshme të zhvillimit dhe demokracisë në pjesë të ndryshme të të njëjtit shtet. Në Serbi në vend të ndryshimeve demokratike patëm ardhjen në pushtet të Millosheviçit me axhendën e tij nacionaliste për të ribërë Jugosllavinë, çfarë e çoi vendin në luftëra. Dhe për ta përmbledhur shkurt ajo që patëm në ish Jugosllavi në vitet '90 ishte ndërtim i shteteve kombëtare dhe jo tranzicion drejt demokracisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë këtyre 15 viteve kemi parë se Bashkimi Evropian nuk ka qenë i gatshëm apo i përgatitur që të vepronte në ish Jugosllavi dhe më gjerë në Ballkan. Cilat janë arsyet për këtë qasje të Bashkimit Evropian?

JACQUES RUPNIK
Mendoj se duhet të bëjmë një ndarje për faza të ndryshme. Në fillim të krizës, në vitet '90 kur Jugosllavia u shpërbë, Bashkimi Evropian ishte e papërgatitur. Por BE-ja nuk ishte e vetme, pasi gjithë bota, përfshi Shtetet e Bashkuara, nuk ishte e përgatitur për të tilla zhvillime. Duhet të shtojmë se BE-ja nuk ishte perceptuar të merrej me problemet e sigurisë jashtë Unionit. Bashkimi Evropian ishte një organizëm i vendeve demokratike që ndanin të njëjtin qëndrim për demokracinë dhe tregun. Edhe sot BE-ja nuk ka një politikë të përbashkët sigurie. Kjo vlen për fazën e parë të shpërbërjes së ish Jugosllavisë. Më vonë Bashkimi Evropian tregoi se gradualisht filloi të bëhej një aktor më i rëndësishëm. Në këtë kuadër mund të veçojmë mbajtjen e Rambujesë në '99, një ide franko-britanike. Duke mësuar nga kriza në Bosnjë, Bashkimi Evropian mendoi të organizonte një Dejton para lufte për rastin e Kosovës dhe jo pas luftës si në Bosnjë. Por sot mund të thuhet se Bashkimit Evropian i mungon koncepti se si t'i trajtojë vendet e Ballkanit, a duhet një qasje rajonale apo një qasje e posaçme për secilin vend veç e veç. Kjo është dilema aktuale e Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Procesi i përcaktimit të statusit të Kosovës ka filluar. Sipas jush cili opsion ka më shumë mbështetje në mesin e Bashkimit Evropian si zgjidhje për çështjen e Kosovës?

JACQUES RUPNIK
Shumica e vendeve evropiane bien dakord se Kosova nuk duhet të kthehet në atë që ka mbetur nga ish Jugosllavia dhe e pranojnë faktin se që nga ndërhyrja ushtarake e '99, Kosova realisht nuk është pjesë e Jugosllavisë së mbetur dhe nuk do kthehet në asnjë formë të qeverisjes nga Beogradi. Por fakti se dimë skenarët që nuk duhet të ndodhin, nuk e bën më të lehtë atë që duhet të ndodhë nga një këndvështrim pozitiv. Me këto parasysh, një formë e pavarësisë së kushtëzuar duket skenari më i pranueshëm për vendet evropiane. Por askush nuk mund të parashikojë çfarë do të sjellin bisedimet. Këto bisedime nuk drejtohen nga Bashkimi Evropian, por nga bashkësia ndërkombëtare dhe tek e fundit janë bisedime mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. A do të jenë ata në lartësinë e sfidës me të cilën përballen? Këtë nuk e dimë, ashtu si nuk e dimë se si do duken këto bisedime. Mund të ndodhë që që të dyja palët të mbajnë qëndrimet e tyre, njëra për pavarësi e tjetra për autonomi dhe kjo do sillte fundin e bisedimeve pa rezultat. Nuk duhet të harrojmë se secila palë luan dhe për interesa që lidhen me publikun e brendshëm. Shqetësimi im më i madh këtu ka të bëjë me Serbinë, ku si kryeministri ashtu dhe presidenti kërkojnë nga parlamenti miratimin e qëndrimit në negociata, çfarë për mua do të çojë në justifikimin e njohur se ky është zëri i të zgjedhurve, nuk kemi ç'të negociojmë, çfarë bllokon procesin. Të gjithë e dimë se si do jetë debati në parlamentin e Serbisë. Por ne nuk jemi ende në këtë fazë, ndaj le të presim.

RADIO EVROPA E LIRË
Po merrni pjesë në një konferencë ku po diskutohet tranzicioni në vendet e dala nga komunizmi dhe roli i qytetarëve. Në këtë kuadër përse është kaq e vështirë të pranohet vullneti i qytetarëve të Kosovës për vetëvendosje?

JACQUES RUPNIK
Është e vështirë pasi siç e dimë ajo që quhet shkëputje për një territor do të thotë vetëvendosje për një tjetër. Në Ballkan ne gjendemi në një situatë ku kufijtë shtetërorë janë të ndryshëm nga ata kombëtarë. Këto kufij janë përcaktuar në rrethana specifike. Në këto kushte, kufijtë mund të ndryshohen me mirëkuptim të përbashkët të palëve ose në rastin kur një shtet si Jugosllavia shpërbëhet. Problemi është se ne i falemi dy parimeve, njëri është ai i vetëvendosjes dhe tjetri i paprekshmërisë së kufijve. Kudo ne rekomandojmë se nuk duhen ndryshuar kufijtë, pasi nëse fillon një proces i tillë nuk dihet ku përfundon. Pra ne respektojmë dy parime që kundërshtojnë njëri-tjeterin. Përfundimisht koncepti i Bashkimit Evropian për kufijtë është "nuk i prekim kufijtë, se janë shumë më pak të rëndësishëm tani". Gjithë ideja e projektit evropian është se koncepti i sovranitetit dhe kufijve në kuptimin klasik janë ripërcaktuar. Tani kemi konceptin e ndarjes së sovranitetit. Pas shumë luftërave ne vendosëm se në vend që të luftojmë për kufijtë, t'i ndajmë ato së bashku. E di që kjo nuk e bën më të lehtë zgjidhjen e problemeve në Ballkan, por mund të ndihmojë. Ndihmon kur të dyja palët e kuptojnë se Kosova nuk mund të kthehet në një shtet me Serbinë dhe nga ana tjetër pavarësia dhe krijimi i një shteti të ri nuk është fundi i problemit. Ju nuk krijoni një shtet për t'u mbyllur në vetvete, por për t'u hapur.
E vetmja mënyrë për të bërë koncensione të axhendave maksimaliste nacionaliste të palëve, është që t'u japësh diçka më të madhe në shkëmbim. Dhe kjo në këndvështrimin tim është perspektiva evropiane për t'u integruar në BE. Pra të zgjidhim çështjen e Kosovës duke e çuar atë drejt një pavarësie të kushtëzuar dhe njëherësh duke i dhënë perspektivë të qartë Serbisë dhe Kosovës rreth të ardhmes evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Në teori apo në praktikë a kemi ndonjë shembull që na qartëson se ç'do të thotë pavarësi e kushtëzuar?

JACQUES RUPNIK
Është një term fluid, ndonëse mund të them se kam dhe të drejtën autoriale për të, pasi e kam sugjeruar në komisionin për Kosovën në vitin 2000. Ne e dinim se nuk kishte zgjidhje të përkryer, pasi po të kishte zgjidhje të tillë do të ishte e njohur. Filluam duke eliminuar të gjitha opcionet që ishin mbi tavolinë dhe logjikisht erdhëm tek pavarësia. Por jo pavarësi e deklaruar në mënyrë të njëanshme, por pavarësi që i nënshtrohej një morrie kushtesh.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka ekspertë dhe diplomatë që thonë se Kosova është pengesë për demokratizimin e Serbisë dhe sa më parë të realizohet ndarja, aq më mirë është për Serbinë. Çfarë do të thoshit?

JACQUES RUPNIK
Në një shkallë të madhe e ndaj këtë mendim. Pas rënies së Millosheviçit kam shkruar një artikull, ku mes të tjerash thuhej se zoti Koshtunica, që pëlqen ta krahasojë veten me Dë Golin, duhet të nxjerrë mësime nga libri i tij. Dë Goli ishte demokrat, por dhe simbol i mbrojtjes së interesave kombëtare. Ai kishte zgjuarsinë që t'i jepte pavarësinë Algjerisë, pasi ai nuk donte që çështja e Algjerisë të helmonte aftësinë e Francës për një demokraci të qëndrueshme. Mësimi për Kosovën është i qartë: Millosheviçi ka abuzuar me çështjen e Kosovës për të qëndruar në pushtet dhe shkatërroi tranzicionin demokratik. Por nëse çështja e Kosovës zgjidhet në një kohë relativisht të shkurtër, kjo do t'i ndihmojë serbët të përqëndrohen në problemet e tyre të brendshme.

Intervistoi Iliriana A. Bajo
XS
SM
MD
LG