Ndërlidhjet

logo-print

META: STATUSI I KOSOVËS DUHET TË JETË PAVARËSIA E PLOTË


Ilir Meta, ish kryeministër i Shqipërisë dhe kryetar i LSI-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Meta, rezoluta për çështjen e Kosovës është miratuar në parim nga parlamenti shqiptar ditën e premte. Çfarë pritet sipas jush nga kjo rezolutë?

ILIR META
Unë besoj se kjo rezolutë nuk do të ndajë më forcat politike në Shqipëri lidhur me përcakltimin e Shqipërisë për statusin e ardhshëm të Kosovës, i cili sipas bindjes sime dhe forcës që përfaqësoj duhet të jetë qartësisht pavarësia e plotë. Një pavarësi, e cila garanton të ardhmen evropiane të Kosovës dhe të rajonit tonë dhe që garanton standarde evropiane për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga përkatësia etnike.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e komentoni faktin se zyrtarët e lartë në Shqipëri japin deklarata të ndryshme lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës?

ILIR META
Mendoj se ky është tregues i mungesës së përgjegjësisë dhe mungesës së seriozitetit, pasi në çështjet e politikës së jashtme të gjitha vendet e tjera janë të bashkuara. Në çështje të tilla delikate, në të gjitha vendet nuk ka dallime midis partive politike dhe përpjekjeve për të fituar politikisht, pasi konsiderohet si çështje me rëndësi të madhe kombëtare. Mendoj që Partia Demokratike dhe qeveria e saj, jo vetëm që kanë qëndrime të ndryshme nga qëndrimi i presidentit, apo i forcave të tjera politike në vend, por ato kanë edhe qëndrime të ndryshme me pozicionimet e tyre të para ardhjes në pushtet. Mendoj që për pavarësinë e kushtëzuar Partia Demokratike nuk është shprehur para zgjedhjeve, madje nuk është shprehur as në ditën e votëbesimit të programit të qeverisë në parlament, por kjo është shfaqur në mënyrë të papritur në javët e para të punës së kësaj qeverie. Ndërkohë ne kemi dëgjuar kështu në Komisionin e Jashtëm të parlamentit, që ministri i jashtëm thotë se nuk ka dallime thelbësore, por janë çështje gjuhësore. Atëhere nëse kjo është çështje gjuhësore pse duhen krijuar keqkuptime dhe konfuzione të panevojshme. Ministri i Jashtëm dhe qeveria duhet të mbështesin atë opsion që kanë në përgjithësi forcat e opozitës, por që i ka edhe presidenti i vendit. Mendoj se Shqipëria nuk duhet të bëjë asnjë deklaratë dhe nuk duhet të marrë asnjë qëndrim, që nuk merr në konsideratë vullnetin e popullit të Kosovës dhe të forcave politike në Kosovë. Mendoj që faktori kosovar ka fituar një relevancë të re, ka fituar një relevancë të madhe, ka fituar një pjekuri të çmuar politike gjatë gjithë këtyre viteve, të një politike të re në Kosovë, të përvojës me demokracinë, me lirinë, me pluralizmin, me përvojën e ndërtimit të institucioneve e kështu me rradhë. Prandaj ky duhet të jetë faktori përcaktues dhe ajo që Shqipëria duhet të bëjë është të mbështesë këtë faktor dhe duke patur një qëndrim të sajin të bashkuar, Shqipëria duhet të kontribuojë edhe në unifikimin e qëndrimeve të faktorit kosovar. Nuk i lejohet askujt tani në Shqipëri që të flasë si analist apo gazetar, në veçanti përfaqësuesve të institucioneve dhe drejtuesve të forcave të ndryshme politike. Ky është momenti mendoj për të unifikuar të gjithë qëndrimin tonë për pavarësinë e plotë të Kosovës dhe për angazhimin e Kosovës në arritjen e standardeve evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të shërbejë rezoluta e dalë nga Kuvendi për një mendim të unifikuar sa i përket statusit të pavarur të Kosovës?

RADIO EVROPA E LIRË
Është paralajmëruar se do të ketë një unifikim. Ne këtë dëshirojmë, për këtë do të kontribuojmë. Do të ishte një mesazh i mirë dhe keqkuptime të tilla nuk duhet të krijohen më dhe përpara se të mbahen qëndrime të reja, që edhe mund të mbahen si rezultat i evoluimit të zhvillimeve politike, duhet gjithmonë, kur bëhet fjalë për çështje të politikës së jashtme, që ministri i jashtëm, që kryeministri i vendit apo qoftë dhe presidenti të konsultohen edhe me parlamentin.

Intervistoi Alma Çupi
XS
SM
MD
LG