Ndërlidhjet

VAZHDOJNË MOSPAJTIMET PËR REZOLUTËN E PAVARËSISË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Dy versionet e rezolutës për pavarësinë e Kosovës e kanë sjellë në dyshim ecurinë e rezolutës për miratimin e saj. Ndërsa 17 nëntori tashmë është caktuar si një datë kur kjo rezolutë do të vihet për miratim në Kuvend, partitë më të mëdha politike ende nuk kanë arritur ta harmonizojnë një tekst përfundimtar të saj, që ka zgjuar dyshime që formulime të caktuara në tekstin e kësaj rezolute, mund të nxisin dhe kundërshtimin e kësaj rezolute nga shefi i UNMIK-ut dhe nga bashkësia ndërkombëtare. Përderisa versioni i parë e përcaktonte atë si rezolutë për rikonfirmimin e vullnetit të popullit të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran, versioni i dytë e përkufizon atë si rezolutë për rishpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. Sipas Hajredin Kuçit, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, subjekt ky që ka dhënë nismën për miratimin e kësaj rezolute, Kuvendi duhet të miratojë një tekst që do të ishte i pranueshëm jo vetëm për spektrin politik vendor, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare.
"Partia Demokratike, respektivisht udhëheqja e saj janë në kontakte të vazhdueshme me qëllim të harmonizimit të teksti, njëkohësisht jemi në kontakte të vazhdueshme që të kemi një qëllim racional, i cili do të jetë i pranuar nga subjektet politike në Kuvend, nga qytetarët dhe nga bashkësia ndërkombëtare".
Versioni i dytë që flet për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran, sipas vlerësimeve në qarqe të caktuara politike, mund të kundërshtohet nga bashkësia ndërkombëtare, pasi do të konsiderohej si ndërhyrje në procesin negociator, për ç'gjë Kosova tashmë e ka dhënë pëlqimin.
Mirëpo përkundër këtyre dyshimeve grupet parlamentare nga partitë më të mëdha e kanë miratuar për procedim në Kuvend pikërisht versionin e dytë. Ndërkaq profesori i çështjeve kushtetuese dhe juridike Riza Smaka, mendon se kjo rezolutë duhet të përmbajë në vetvete, dy versionet me tekst të harmonizuar.
"Mendoj se do duhej të bëhej e tillë që të rikonfirmohet vullneti i popullit për Kosovën shtet demokratik të pavarur, shtet sipas standardeve bashkohore të shteteve më të përparuara". Përndryshe profesor Smaka mendon se cilido version i kësaj rezolute do të mund të kundërshtohet nga bashkësia ndërkombëtare, por ai thekson se miratimi i saj do të ishte në favor të fuqizimit të pozicionit të Kosovës në negociata.
"Kundërshtimi mund të pritet dhe gati është i sigurtë, sepse faktori ndërkombëtar relevant konsideron se, së paku ashtu reflektohet nga prononcime të caktuara të njerëzve kompetentë, se do ta paragjykonte statusin."
Kurse deputeti Hajredin Kuçi besons e kjo rezolutë përveç të tjerave do të jetë një mbështetje për ekipin negociator, duke e vënë atë në preambulën e platformës së Kosovës për bisedimet.
"Rezoluta gjithsesi është e domosdoshme. Ajo ka nevojë në rradhë të parë që të japë pasqyrimet bazë për punën e grupit negociator, por njëkohësisht ka nevojë gjithsesi që platforma politike për çështjen e Kosovës të bazohet mbi bazën e kësaj rezolute."
Pavarësisht konfuzionit të krijuar për shkak të tekstit të paharmonizuar, Kuvendi pritet të japë një përgjigje rreth kësaj rezolute më 17 nëntor. Parashihet që para fillimit të kësaj seance, shefat e grupeve më të mëdha parlamentare, kryetari dhe kryesia e Kuvendit të Kosovës, të mblidhen në një takim të mbyllur në përpjekje të gjetjes së një versioni, i cili besohet se do të ishte i pranueshëm jo vetëm për palën kosovare, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG