Ndërlidhjet

GJUHA E ASHPËR POLITIKE, SHPREHJE E FRUSTRIMIT KOLEKTIV


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Akuzat e ndërsjella që patën shpërthyer muaj më parë ndërmjet opozitës dhe pozitës, si dhe këto të fundit ndërmjet zyrtarëve të PDK-së në njërën anë dhe disa ministrave dhe zyrtarëve ndërkombëtare nga ana tjetër e kanë ashpërsuar diskursin politik. Ky diskurs i ashpërsuar shpjegohet në mënyra të ndryshme nga sociologët, mirëpo ekspertët e drejtësisë thonë se akuzat dhe shpifjet mund të sanksionohen me ligj.
Avokati nga Prishtina, Sadri Godanci thotë se shpifjet hyjnë në kategorinë e veprave penale:
"Kodi Penal i Kosovës e ka inkriminuar veprën penale “shpifje” në kapitullin XVIII ku përfshihen veprat penale kundër nderit dhe autoritetit".
Zoti Godanci tha se kushdo që përhap të pavërteta duke qenë i vetëdijshëm për to, dënohet me gjobë ose me burg deri në tre muaj. Ligjvënësi me këtë ka dashur ta mbrojë integritetin moral të individit nga shpifjet, tha Godanci, duke shpjeguar edhe procedurën e inicimit të procedurës nga palët që e konsiderojnë veten të dëmtuara:
"Procedura penale për veprën penale shpifje fillohet në bazë të padisë private. Kompetente për këtë janë gjykatat komunale".
Sipas kryetarit të Gjykatës Komunale në Prishtinë, zotit Nuhi Uka, në këtë gjykatë ka shumë lëndë të tilla:
"Në Gjykatën komunale të Prishtinës është një numër jo i vogël i padive private penale për këto vepra penale të shpifjes dhe të fyerjes dhe mund të them që për shkak të gjendjes së përgjithshme në Gjykatë, ndodh që procedura shpesh të mos kryhet në afatin e dëshiruar nga palët"
Arsye për këtë sipas gjykatësit Uka është mungesa e efikasitetit në gjykata dhe lëndët e shumta që shkojnë për procedurë. Sidoqoftë, gjykatësi Uka shpresat për këtë i ka mbështetur në një ligj të ri që pritet të miratohet:
"Mendoj që është mirë që ka filluar një nismë që të bëhet ligji për mbrojtjen nga fyerja dhe shpifja, ku do të kemi përgjegjësinë kontestimore civile për ata që kryejnë vepra të këtilla".
Sidoqoftë, diskursi i ashpërsuar politik, sipas sociologut Fadil Maloku, më së miri mund të shpjegohet me pasojat e një frustrimi kolektiv që ekziston në vetë opinionin e Kosovës.
"Ky frustrim kolektiv prej masave të gjera është duke u bartur edhe në elitat tona politike, të cilat me afrimin e përcaktimit të statusit politik, konsiderojnë se me këtë gjuhë të ashpër tentojnë të bëjnë njëfarë lloj satisfaksioni edhe moral, edhe politik, ndaj kërkesave dhe synimeve të përgjithshme që i ka opinioni i gjerë në Kosovë".
Deri më tash, subjekte të ndryshme politike dhe individë të përfshirë në akuza të tilla kanë dorëzuar padi provat në Gjykatat e Kosovës pikërisht lidhur me shpifjet kundër nderit dhe personalitetit, por deri më tash asnjë nga lendët nuk është proceduar deri në fund.



XS
SM
MD
LG