Ndërlidhjet

logo-print

PRISHTINË: INTENSIFIKOHEN PËRPJEKJET PËR HARMONIZIMIN E TEKSTIT TË REZOLUTËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Përkundër disa vërejtjeve të shprehura këtyre ditëve nga zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, Kuvendi i Kosovës megjithatë ka vendosur që nesër të vërë në procedurë miratimin rezolutës për pavarësinë. Gjatë një takimi të zhvilluar sonte ndërmjet kryetarit të Kuvendit, Nexhat Daci dhe kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit, është arritur pajtimi në parim që të kthehet në procedurën e miratimit formulimi i rezolutës së parë, ai rezolutës për rikonfirmimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur e sovran, duke e ndryshuar kështu versionin e grupeve parlamentare që e përcaktonte atë si rezolutë për ri-shpalljen e Kosovës shtet të pavarur e sovran. Kryeparlamentari Daci tha se po punohet vazhdimisht që versioni i fundit i rezolutës të jetë reflektim i vullnetit të qytetarëve të Kosovës dhe të jetë i kuptueshëm për bashkësinë ndërkombëtare:
“Rezolutë do të ketë nesër në parlament. Të jeni të bindur që ne do të bëjmë çdo gjë që bashkësia ndërkombëtare të mos e përdorë “metodën e Shtajnerit” dhe ne po punojmë bashkërisht, do të thotë nuk ka opsion që nuk është në hulumtim e sipër, do të thotë ne jemi në takime 24 orëshe dhe në komunikim të gjitha instancave”, tha Nexhat Daci. Ndërkohë që edhe shefi i opozitës, Hashim Thaçi, propozues i kësaj rezolute, u angazhua që Kuvendi të mos heqë dorë nga miratimi i saj, por të gjejë formën më të mirë të mundshme që ajo të jetë pasqyrim i interesave të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare në prag të hapjes së bisedimeve për zgjidhjen e statusit të Kosovës:
“Ishte përfundim i përbashkët që duhet nxjerrë kjo rezolutë që e rikonfirmon vullnetin e qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur e sovran, rezolutë unifikuese e spektrit politik kosovar mbi parimet perëndimore dhe rezolutë që hap perspektivën për procesin negociues të delegacionit të Kosovës dhe veprim e vendim i gjithanshëm që do të mirëpritet prej të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të gjitha forcave demokratike të involvuara në zgjidhjen e statusit politik të Kosovës”, tha Thaçi.
Po sot, shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen ka vlerësuar që kjo rezolutë, mund të shërbejë si kornizë e ekipit negociator kosovar, por jo si vendim i institucioneve për statusin. Jessen Petersen ka pohuar se Kuvendi ka të drejtë për debat dhe për miratimin e rezolutës, e cila i jep udhëzime ekipit negociator si platformë e kornizës. Por nëse Kuvendi, sipas tij, do të përpiqej që njëanshëm të marrë vendim për statusin, atëherë kjo nuk do të pranohej nga bashkësia ndërkombëtare dhe Grupit i Kontaktit.
Sidoqoftë, harmonizimi i qëndrimeve për modifikimin e kësaj rezolute ndërmjet Nexhat Dacit dhe udhëheqësit të opozitës, Hashim Thaçit, duhet të rikonfirmohen nga Kuvendi i Kosovës. Grupet parlamentare, përfshirë këtu edhe ato të LDK-së dhe PDK-së, kanë mbështetur versionin tjetër i cili kërkon ri-shpalljen e Kosovës shtet të pavarur. Prandaj vendimi përfundimtar pritet të merret nesër në seancën plenare, e cila do të paraprihet me disa takime ndërmjet forcave kryesore politike në përpjekje të harmonizimit të qëndrimeve, pasi vazhdimisht është thënë se kjo rezolutë ose duhet të ketë një miratim unik nga shumica në Kuvend, ose nuk duhet të miratohet fare.



XS
SM
MD
LG