Ndërlidhjet

logo-print

KOSUMI: KOSOVA DO TË JETË SHTET DHE QYTETARI I KOSOVËS DO TË JETË SOVRANI


Ekipi negociator i Kosovës duhet t’i tregojë zotit Ahtisari se në ç'mënyrë mendon ta fitojë pavarësinë, tha sot shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, duke shprehur besimin e tij se ekipi negociator po bëhet gjithnjë e më i përgatitur për ta arsyetuar qëndrimin e tij. Zoti Jessen Petersen i bëri këto komente pas një takimi të Forumit të Boshnjakëve të Kosovës, që është mbajtur në Prishtinë, ku mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi.
Zoti Jessen Peetersen tha se ardhja e zotit Ahtisari e gjen ekipin negociator të Kosovës mjaft të përgatitur:
"Zoti Ahtisari do të vijë për të dëgjuar se çka dëshiron të arrijë Kosova dhe ne e dimë se Kosova dëshiron pavarësi, por zoti Ahtisari do të jetë më i interesuar të dijë se si Kosova mendon se mund të fitohet dhe arrihet ajo pavarësi", tha shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen, duke u shprehur i bindur se institucionet e Kosovës janë të përgatitura për t’ia shpjeguar zotit Ahtisari qëndrimet e tyre, pasi institucionet po dëgjojnë zërat që kërkojne që procesi të jetë gjithëpërfshirës. Vetë formimi i Këshillit Konsultativ për pakicat besoj se do të jetë një sinjal i mirë edhe për vetë zotin Ahtisari, tha Petersen. Ai duke iu drejtuar takimit të parë të Forumit të Boshnjakëve të Kosoves, një mekanizëm që bashkon partitë politike dhe organizatat joqeveritare boshnjake të Kosoves, tha:
"Procesi i statusit ka të bëjë drejtpërdrejtë me të gjithë personat dhe grupet në Kosovë, prandaj është krejtësisht e drejtë që grupet etnike t’i bëjnë të ditura qëndrimet e tyre dhe që ato të merren parasysh", tha zoti Petersen.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, me këtë rast tha se Kosova mund të jetë një vend i mirë, vetëm nëse është i mirë për të gjithë qytetarët e saj:
"Një nga presidentët e shquar amerikanë Teodor Ruzvelt duke folur për vendin e tij Amerikën, tha se ky vend nuk mund të jetë i mirë për ndonjeërin prej nesh për të jetuar në të, deri sa nuk bëhet vend i mirë për të jetuar për të gjithë. Ngjashëm mund të thuhet edhe për Kosovën – Kosova nuk do të jetë vend i mirë për të jetuar në të, përderisa nuk do të jetë vend i mirë për të gjithë qytetarët e saj
Kryeministri Bajram Kosumi tha se të gjitha komunitetet e Kosovës do të jenë pjesë jo vetëm e Kosovës së ardhshme, por edhe e procesit të përcaktimit të kësaj të ardhmeje:
"Kosova do të jetë shtet, por nuk do të jetë shtet vetëm i shqiptarëve, por edhe i serbëve të Kosovës, edhe i turqve, edhe i boshnjakëve. Qytetari i Kosovës do të jetë sovrani në këtë shtet. Të gjitha komunitetet do të jenë e të përfshira në procesin e ngecoijimit të statusit politik të Kosovës."
Ndërkaq, filozofi boshnjak, Ferid Muhiq, profesor i filozofisë në Universitetin e Shkupit tha se Kosova nuk mund të jetë shtet vetëm i shqiptarëve apo i dy etnive, por duhet të jetë shtet multietnik dhe vetëm të qenit shtet sipas tij, garanton të qenit e saj multietnike:
"Ndoshta argumenti më i mirë për bashkësinë ndërkombëtare për ta kuptuar se Kosova mund të funksionojë si duhet vetëm me një kusht, i cili është i domosdoshëm, e ky është sovraniteti i Kosovës", tha Ferid Muhiq, sipas të cilit bashkësia boshnjake në Kosovë ka qëndrim të njëjtë për të ardhmen e Kosovës, ashtu si edhe shumica shqiptare.
Forumi Boshnjak i Kosovës është themeluar më 14 tetor të këtij viti, ndërsa në tryezën e sotme pritet të nxjerrë edhe një deklaratë.

Rrahman Pacarizi

XS
SM
MD
LG