Ndërlidhjet

GOSART:"KOSOVA MË DHA FUQINË T'I ZBATOJ IDETË E MIA"


Julia GOSART, anëtare e Asociacionit të Bibliotekave në SHBA

EVROPA E LIRË
Zonja Gosart, ju jeni angazhuar vullnetarisht në një fushë interesante të jetës në Kosovë, në ringjalljen dhe zhvillimin e bibliotekave, kryesisht në zonat rurale. Çfarë ju ka motivuar të merreni me këtë cështje në Kosovë?

JULIA GOSART
Angazhimi im në zhvillimin e bibliotekave në zonat rurale vjen nga pasioni im mbi dy gjëra: e para është se për ta mbajtur një strukturë të pandashme të një shoqërie, çdo zhvillim social duhet të fillojë nga rrënjët për të mundësuar rritjen. Së dyti, për të mundësuar një zhvillim të qëndrueshëm, ai duhet të ketë kuptim për njerëzit të cilët do të përfitojnë nga ky process. Dhe kur të gjitha nevojat bazë përmbushen, atëherë fillojmë të kërkojmë vlerat që janë në qendër të jetës sonë. Në shoqëritë e para Gutenberg-ut, ishte historia orale që u ka dhënë potencialin njerëzve për të kuptuar ekzistencën e tyre, kurse në kohën tonë, këtë funksion e ushtron literatura madhështore. Pavarësisht nga situatat civile dhe rrethanat gjeopolitike, bibliotekat gjithmonë kanë pasqyruar historinë dhe gjithmonë kanë përfaqësuar marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve dhe ndërmjet vetë njerëzve me dituri. Sot, në epokën e informimit, ndonjëherë harrojmë se dituria nuk është një lojë materiale e informimit që duhet trajtuar me komoditet, por është një interpretim i kësaj diturie me zemër dhe me shpirt. Arsyeja përse unë punoj në Kosovë ka të bëjë me dëshirën time për t’u dhënë fëmijëve në Kosovë mundësi më të mira për një edukim më të mirë. Kjo dëshirë bazohet në dy elemente të realitetit që ekziston në Kosovë: së pari, më shumë se 50 për qind e popullatës së Kosovës është rreth 16 vjeç dhe së dyti, pjesa më e madhe e bibliotekave në zonat rurale në fakt janë biblioteka shkollore. Aktualisht, jam duke mbledhur libra në gjuhën angleze për t’i dërguar në shkollat e disa fshatrave, për fëmijët që duan të mësojnë gjuhën angleze dhe të jenë më të përgatitur për të ardhmen.

EVROPA E LIRË
Në ndërtimin e një biblioteke kudo në botë, secili përballet me sfida të caktuara. Ju rishtazi keni vizituar Kosovën. Cilat janë sfidat dhe vështirësitë me të cilat jeni përballur në Kosovë?

JULIA GOSART
Shumica prej nesh sot angazhohen në mbrojtjen e vetes sonë. Nga frika se humbim një vend pune, rehatinë personale dhe mundësinë për një jetë si në parajsë, na bën që të mbyllim sytë përpara kuptimit të vërtetë që ka puna jonë. Unë nuk mendoj se dikush mund t’i shërbejë njerëzimit, secili prej nesh mund t’i shërbejë njerëzve. Dhe më bën të ndihem keq se kur dështojmë, nuk dështojmë vetëm ne, por edhe fëmijët tanë dhe gjeneratat tona të ardhshme, në përpjekje për t’u bërë të famshëm dhe në frikë për t’u bërë heronj. Sepse të jesh një herë, duhet të bësh vetë sakrificat. Problemi i dytë është mungesa e mirëkuptimit nga ana e faktorit ndërkombëtar, se nevojat e njerëzve në kuptimin humanitar jo vetëm që duhet të vihen në rradhë të parë, por ato duhet identifikuar dhe formuluar nga vetë njerëzit. Njerëzit vendorë janë ata që duhet të thonë se për çfarë kanë nevojë, ushqim, libra ose ndonjë ndihmë tjetër humanitare. Kjo kategori e njerëzve duhet të njihet dhe natyrisht të respektohet. Nuk është e vështirë për të hapur një bibliotekë, është më e vështirë që të jipet një potencial për t’u shërbyer nevojave të një komuniteti në tërësi.

EVROPA E LIRË
Në këtë mision tuajin, ju keni ngritur cështjen e rëndësisë së bibliotekave për zonat rurale dhe për gratë. Cfarë rëndësie ka biblioteka për këto dy kategori specifike të shoqërisë?

JULIA GOSART
Biblioteka është një ambient shoqërimi, ku një komunitet gëzon mundësinë për të zhvilluar një dialog në mes të vetë pjesëtarëve të tij dhe për të pasur lidhje me botën e jashtme. Në zonat rurale të Kosovës, ku komunitetet vazhdojnë të jenë të ndara, në shumë raste biblioteka në fakt është burim i vetëm alternativ i informimit, përveç mjeteve të informimit dhe mbledhjeve familjare. Për gratë në fshatrat e Kosovës, biblioteka mund të shihet si e vetmja mënyrë për t’i mbrojtur ato nga abuzimet familjare, për të ikur nga ligjet e rënda të Kanunit dhe problemet emocionale. Në bibliotekë gratë mund të mësojnë për të drejtat që kanë jo vetëm si qytetarë, por edhe si qenie njerëzore. Është një vend ku ato mund t'i takojnë gratë tjera, të flasin për problemet e tyre të përditshme dhe natyrisht të bartin mësimet e tyre tek fëmijët. Është një detyrë e vështirë, por biblioteka ofron një mundësi dhe ide për një jetë më të mirë.

EVROPA E LIRË
Në këtë drejtim, cili është projekti juaj i fundit?

JULIA GOSART
Projekti im i fundit ka të bëjë me hapjen e një biblioteke shkolle, në fshatin Zoçishtë të Rahovecit. Këtë bibliotekë unë e paramendoj si një bibliotekë që do të funksionojë në mënyrë të pavarur, e cila në të ardhmen mund të jetë edhe bibliotekë publike dhe një qendër informimi. Por, për ironi, unë tashmë kam 300 libra për fëmijë dhe nuk kam fonde të mjaftueshme për t’i dërguar këto libra në Kosovë. Megjithatë, unë besoj në këtë bibliotekë dhe ajo do të hapet. Nuk mund të ndodhë e kundërta sepse njerëzit kanë nevojë për të.

EVROPA E LIRË
Para kësaj bisede, derisa po e aranzhonim, ju thatë diçka interesante, se Kosova ju ka dhënë shumë më tepër se ajo që ju mund t’i jepni këtij vendi ndonjëherë. A mund ta shpjegoni këtë ju lutem?

JULIA GOSART
Unë në Kosovë kam shumë miq. Vitin e kaluar kam përjetuar një përvojë me ndikim të jashtëzakonshëm në Kosovë. Në tetor të vitit të kaluar, kam marrë një porosi nga një mik i imi për Kosovën dhe atëherë kam ditur shumë pak për historinë e këtij vendi dhe njerëzit e tij në përgjithësi. Por, sot Kosova është pjesë e jetës së përditshme të komunitetit tim. Aktualisht jam duke bërë përpjekje për të përfshirë edhe të gjitha bibliotekat në Connecticut, ku edhe jetoj, për të ndihmuar me donacione dhe fonde për projektin tim të fundit. Kosova më ka dhënë shansin për të pasur fuqinë që të ndjekë idetë e mia.

Intervistoi: Arbana VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG