Ndërlidhjet

logo-print

KUVENDI I KOSOVËS MIRATOI NISMËN PËR HARTIMIN E KUSHTETUTËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot nismën për fillimin e procedurës për hartimin e Kushtetutës së Kosovës. Vendimi është marrë mbi bazën e një propozimi të mëhershëm të AAK-së, ndërkohë që dhe rezoluta e miratuar javën e kaluar e obligon Kuvendin që të nisë procedurën e nxjerrjes së Kushtetutës.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Alush Gashi, kërkoi që Kuvendi të formojë një grup të posaçëm, i cili do të hartonte Kushtetutën e Kosovës:
"Grupi Parlamentar i LDK-së e mbështet iniciativën për hartimin e Kushtetutës së Kosovës dhe kërkon formimin e komisionit të posaçëm për hartimin e Kushtetutës, do të thotë ne kërkojmë komision të posaçëm, jo komisionin, i cili merret me çështje të përditshme legjislative’, tha Gashi.
Ndërkohë që shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Jakup Krasniqi mendon se Kosova e ka Grupin Negociator dhe atë Politik, kështu që nuk e sheh të domosdoshme fillimin e punës për këtë akt juridik edhe nga ana e Kuvendit. Ai mendon se së pari duhet të përcaktohet statusi dhe forma e sistemit qeverisës, para se Kushtetuta të hartohet dhe miratohet:
"Grupi Negociator e ka të formuar një Grup Politik-Strategjik, i cili mendon të formojë dhe nënkomisione për hartimin e dokumenteve përkatëse. Aty sigurisht se do të jetë dhe një nënkomision për hartimin e Kushtetutës, që do të përbëhej nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë dhe nëse edhe Parlamenti i Kosovës e formon një grup të posaçëm, mos kemi dublifikim dhe përzierje pastaj të kompetencave dhe krijohen probleme të reja”, vlerësoi Krasniqi.
Në anën tjetër shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Gjylnaze Syla tha se Kuvendi duhet të jetë ai institucion që e harton dhe e miraton Kushtetutën, duke ofruar një projekt të AAK-së si model të punës për hartimin e saj.
Për dallim nga AAK-ja, Teuta Sahatçiu shefe e grupit parlamentar të partisë politike Ora, vlerëson se akti më i lartë juridik duhet të miratohet mbi bazën e rezolutës së aprovuar për pavarësinë dhe nuk duhet të jetë një projekt një partiak i cilitdo subjekt politik qoftë.
Bazuar në qëndrimet e ndryshme lidhur me vazhdimin e punës për hartimin e Kushtetutës, Kuvendi në fund vendosi që ta ngarkojë Kryesinë dhe grupet parlamentare që të vendosin se a do të formohet ndonjë komision i veçantë, apo do të ngarkohet me këtë punë komisioni aktual parlamentar për çështje kushtetuese. Kurse si opsion i tretë është që puna në hartimin e Kushtetutës t’i lihet Grupit Negociues, respektivisht ekipeve të ekspertëve që ka formuar Delegacioni i Kosovës për bisedimet për zgjidhjen e statusin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG