Ndërlidhjet

JESSEN PETERSEN: NUK DUHET TË VIHEN AFATE KOHORE PËR BISEDIMET PËR STATUSIN


Albana Isufi, Prishtinë

Koincidencë interesante është quajtur nga shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen 10 vjetori i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe arritja e të dërguarit të OKB-së në Kosovë, Marti Ahtisarit. Vizita e tij shënon fillimin e procesit negociues për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës.
“Duke bërë këtë po lëvizim një hap përpara që ta çojmë Ballkanin perëndimor drejt normalizimit dhe t’i lejojmë tërë rajonit, që të lëvizë drejt agjendës evropiane”, tha Jessen Petersen, i cili shprehet i bindur se ekipi negociator është i gatshëm të paraqesë propozimet e tij për statusin para Ahtisarit.
“Ekipi i Ahtisarit do të takohet me ekipin e unitetit të zotit Rugova dhe unë besoj se tashmë, ekipi është i përgatitur mirë për t’iu përgjigjur pyetjeve të Ahtisarit rreth propozimeve dhe qëllimeve të tyre, që të kuptohen aspiratat, siç i kanë shprehur në platformën, që Kuvendi i dorëzoi ekipit, ditë më parë”, tha Petersen, duke bërë krahasim të rezolutës se Kuvendit të Kosovës me atë të Kuvendit të Serbisë.
“Ajo çfarë kanë bërë në Kosovë sipas mendimit tim është e ngjashme sikur ajo që do bëhet sot në Kuvendin e Serbisë. Kjo është se Kuvendi ka debatuar për çështje kryesore të statusit dhe se Kuvendi ka ofruar platformën për ekipin negociator. Kjo, siç e kam kuptuar unë do të ndodhë edhe në Beograd dhe mendoj se teksti dhe fjalët janë shumë të qarta. Është platformë e Kuvendit për ekipin negociator dhe si e tillë nuk e ka shkelur Rezolutën 1244”, tha Petersen.
Ai ka thënë se për të qenë procesi i zgjidhjes së statusit sa më i shkurtër, duhet që institucionet e Kosovës të vazhdojnë përmbushjen e standardeve si dhe zbatimin e decentralizimit. Sidoqoftë Peterseni është kundër caktimit të kohëzgjatjes së negociatave.
“Nuk mendoj se do të ndihmonte afati kohor. Por, në anën tjetër është fakt se të dy palët janë shumë larg njëra-tjetrës dhe do mbesin kështu edhe për një kohë të gjatë. Por, ka sugjerim se shtyrja e procesit nuk mund t’i afrojë qëndrimet e të dy palëve, por vetëm do vazhdonte status quo-ja. Duhet shikuar të afrohet kjo hapësirë dhe të merret vendimi”, tha Petersen.
Shefi i UNMIK-ut pret që gjatë procesit të negociatave të ketë provokim të dhunës si nga shqiptarët ashtu edhe nga serbët.
“Ne e dimë se ka njerëz të çmendur në të dyja anët. Ka njerëz të çmendur që besojnë se do ta shpejtojnë vendimin e statusit përmes dhunës. Ata e kanë gabim. Pastaj janë të tjerët, që besojnë se mund ta bllokojnë ose vonojnë ecjen përpara duke provokuar dhunën. Edhe ata e kanë gabim”, tha Petersen, duke siguruar se policia e UNMIK-ut dhe ajo e SHPK-së nuk do të lejojë, që të ketë shkallëzim të dhunës në asnjë pjesë të Kosovës.
“Duhet qartësimi i statusit për t’i qartësuar mendjen njerëzve. Shqiptarët janë shumë të brengosur se mos kthehen në të kaluarën, serbët janë të brengosur për të ardhmen. Kemi lëvizje të vogël pozitive të shqiptarëve të Kosovës rreth decentralizimit, për shkak se mendojnë se është mbulesë për ndarjen e Kosovës. Ndërkaq, kemi bashkëpunim të vogël të serbëve, sepse iu është thënë nga Beogardi që të mos angazhohen dhe janë të shqetësuar pasi nuk e dinë se cila do të jetë e ardhmja”, tha Petersen, duke shtuar se qartësimi i statusit do të adresojë edhe frikën e të dyja palëve.
Petersen ka bërë sot edhe një herë të qartë se si do që të rrjedhë procesi i negociatave, Kosova nuk do të ndahet, por as nuk do të bashkohet me ndonjë shtet tjetër.

XS
SM
MD
LG