Ndërlidhjet

logo-print

NË 10 VJETORIN E MARRËVESHJES SË DEJTONIT BE-JA I HAP DRITËN E GJELBËR BISEDIMEVE ME BH


Augustin Palokaj, Bruksel

Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në takimin e tyre të sotëm në Bruksel janë shprehur se i tërë rajoni i Ballkanit perëndimor, dhjetë vjet pas arritjes së marrëveshjes së Dejtonit për Bosnje Hercegovinën, ka arritur përparim të dukshëm drejt integrimeve në BE. Ky progres i vendeve të Ballkanit shihet edhe në arritjen e marrëveshjeve kontraktuale të tyre me Bashkimin Evropian. Ministrat e Bashkimit Evropian sot kanë vendosur që të japin përfundimisht edhe pajtimin për nisjen e negociatave me Bosnje Hercegovinën për marrëveshjen e Asociim Stabilizimit. Ndonëse në vendimin e sotëm të ministrave nuk thuhet ndonjë datë se negociatat mund të fillojnë në momentin më të hershëm, nga burimet diplomatike mësohet se ato do të nisin këtë të premte më 25 nëntor. Kështu Bosnje Hercegovina do të bëhet vendi i fundit në rradhë që ka nisur negociatat për marrëveshjen e Asociim Stabilizimit, nëse këtu nuk përfshihet edhe Kosova, e cila ende nuk ka status shteti, por është e përfshirë në proces përmes të ashtuquajturave mekanizma përcjellës të Asociim Stabilizimit.
Gjatë ditës së sotme, përderisa mbahej takimi i ministrave të jashtëm të BE-së, diplomatët e Bashkimit Evropian kanë nënvizuar se në tërë rajonin e Ballkanit, BE-ja përballet me sfida të mëdha e kryesorja është Kosova, më saktësisht negociatat për caktimin e statusit të saj. I pyetur të komentojë propozimin e presidentit Tadiç për ndarjen e Kosovës në dy entitete etnike, një zyrtar i BE-së është shprehur se Bashkimi Evropian është kundër çdo zgjidhjeje që do të çonte drejt ndarjes së Kosovës, por shtoi se Prishtina dhe Beogradi duhet të kyçen në procesin e negociatave me vullnet të mirë.
BE-ja duke shprehur dhe sot gatishmërinë për të dhënë kontributin e mirë në rajonin e Ballkanit, si në Kosovë ashtu dhe në Bosnje Hercegovinë dhe gjetiu. Ndërsa sa i përket Bosnje Hercegovinës, tani pritet dhe transformimi i përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare me një përfaqësues të posaçëm të Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë se Bashkimi Evropian tani kur Bosnja është nisur përfundimisht në rrugën e integrimeve evropiane, do të marrë përsipër më shumë përgjegjësi si në aspektin e sigurisë, ashtu dhe në aspektin politik në Bosnje Hercegovinë.

XS
SM
MD
LG