Ndërlidhjet

AHTISARI TAKOHET ME EKIPIN NEGOCIATOR TË KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Anëtarët e ekipit negociator të Kosovës u shprehën sot të kënaqur nga takimi i parë që zhvilluan me të dërguarin e Kombeve të Bashkuara për statusin, zotin Marti Ahtisari, i cili në këtë mënyrë e ka nisur diplomacinë e tij të vajtje-ardhjeve, në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për statusin e Kosovës. Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova tha se në emër të ekipit negociues të Kosovës, i ka dorëzuar zotit Ahtisari në formë të shkruar qëndrimin për statusin:
"Delegacioni ynë ia dorëzoi një dokument zotit Ahtisari për projektin tonë të pavarësisë; një dokument zyrtar të delegacionit dhe institucioneve të Kosovës, ku i kemi shtruar të gjitha çështjet, si dhe vullnetin tonë për bashkëpunim me zotin Ahtisari, me bashkësinë ndërkombëtare për çështje specifike në Kosovë që kemi filluar t'i bëjmë, ku natyrisht pavarësia është çështja kryesore, si dhe integrimi në BE dhe NATO, pastaj siguria dhe garancitë për minoritetet", tha presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, duke përsëritur qëndrimin e tij për njohjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës dhe duke dhënë garancitë e Kosovës për mbrojtjen e pakicave dhe përmirësimin e pozitës së tyre. Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova tha se kishte besim tek zoti Ahtisari, i cili e njeh mirë çështjen e Kosovës, pasi ishte ndër ata që ndihmuan për ndaljen e luftës dhe të gjakderdhjes në Kosovë në vitin 1999. Lidhur me vetë bisedat për statusin, presidenti Rugova tha se ato do t’i quante me parë takim ndërkombëtar për Kosovën.
Ndërkaq, anëtari tjetër i këtij ekipi, Hashim Thaçi, që njëkohësisht është kryetar i partisë më të madhe opozitare në Kosovë, tha:
"Është një fillim i mirë dhe i mbarë. Delegacioni i Kosovës prezantoi qëndrimet e qarta, unike për ndërtimin e shtetit të pavarur dhe sovran, për një status që do t’i hapte perspektivën evropiane vendit dhe do të ndikonte për stabilitetin dhe paqen në rajon."
Zoti Ahtisari, ashtu si pas takimeve të djeshme me shefin e UNMIK-ut Jessen Petersen dhe me zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë, nuk u është drejtuar mediave pas takimit që ka pasur me ekipin negociues të Kosovës. Ndërkaq dje, me të arritur në aeroportin e Sllatinës, zoti Ahtisari tha se ishte shumë i kënaqur për faktin që kaq shpejt pas emërimit të tij në këtë funksion, ka mundur të fillojë misionin e negociatave për statusin e ardhshëm të Kosovës, siç është shprehur vetë Ahtisari. Ai sot pasdite pritet të takojë në Manastirin e Deçanit përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe, siç është thënë, edhe përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës. Zoti Ahtisari nesër pritet të takojë edhe pakicat e tjera joserbe të Kosovës, të cilët kanë shprehur gatishmërinë e tyre që të marrin pjesë në bisedimet për statusin e Kosovë, si pjesë e Këshillit Konsultativ për komunitetet pakicë që është formuar nga Grupi Negociues i Kosovës. Zoti Ahtisari, i cili pas Prishtinës viziton edhe Beogradin, Tiranën, Podgoricën dhe Shkupin, nesër pritet të mbajë një konferencë shtypi, për të dhënë vlerësimet e tij pas takimeve të para që ka pasur në Kosovë, në kuadër të misionit të tij për gjetjen e një zgjidhjeje për statusin e Kosovës.

XS
SM
MD
LG