Ndërlidhjet

SHBA-TË MBETEN TË ANGAZHUARA NË BALLKAN


Robert McMahon, Uashington

Sekretarja amerikane e Shtetit Condoleezza Rice ka rikonfirmuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara dhe administratës aktuale për çështjet madhore që janë ende të pazgjidhura në Ballkan, ku kyç është statusi i Kosovës.
"Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht bisedimet e drejtuara nga Kombet e Bashkuara që kanë filluar këtë javë dhe ne po përdorim gjithë ndikimin tonë për të mundësuar ndryshimin pozitiv. Tani është koha të përcaktojmë të ardhmen e Kosovës. Me vizion, kurajo dhe kompromis ne duhet të arrijmë marrëveshjen që do t'i mundësojë gjithë kosovarëve të jetojnë në liri dhe paqe", tha Sekretarja amerikane e Shtetit. Këto komente Rice i bëri gjatë takimit në Uashington me udhëheqësit e Bosnjë-Hercegovinës, të cilët po qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara në 10 vjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit.
Rice ka kërkuar nga udhëheqësit boshnjakë ta shndërrojnë vendin e tyre në një vend të bashkuar, energjik dhe për rrjedhojë më të fortë.
Presidenca trepalëshe boshnjake u këshillua të merrte reformat kushtetutese që do ta mundësonin një gjë të tillë.
"Ky është një hap historik përpara në modernizimin e Marrëveshjes së Dejtonit. Zbatimi i këtij angazhimi është thelbësor nëse Bosnja dhe Hercegovina duan të përmbushin qëllimin e tyre për integrim të plotë në institucionet euro-atlantike", tha Rice.
Marrëveshja e Dejtonit e ndau Bosnjën në dy njësi, Federata boshnjako-kroate që kontrollon 51% të territorit dhe Republika serbe e Bosnjës.
Deklarata e dalë nga presidenca trepalëshe e Bosnjës edhe pas takimit të Uashingtonit megjthatë nuk ka premtuar njehsimin e presidencës në një të vetme, por Shtetet e Bashkuara besojnë se reformat kushtetuese do të çojnë në këtë drejtim.
Rice gjatë takimit në fjalë ka theksuar rëndësinë e arrestimit të të akuzuarve për krime lufte Ratko Mlladic dhe Radovan Karaxhiq. Ajo theksoi se dështimi në arrestimin e tyre do të bllokojë përpjekjet për anëtarësim në NATO.
"Jam e kënaqur se më herët udhëheqësit e serbëve të Bosnjës deklaruan publikisht angazhimin e tyre të padiskutimtë për kapjen, arrestimin dhe transferimin e Mlladiçit dhe Karaxhiqit në Hagë. Këto janë fjalë inkurajuese që duhet të kthehen në veprime serioze. Nuk mund të ketë më arsyetime dhe vonesa. 10 vjet janë më shumë se të mjaftueshme për kapjen e tyre", tha Rice.

XS
SM
MD
LG