Ndërlidhjet

AHTISARI: NDARJA E KOSOVËS ËSHTË OPSION I PAMUNDSHËM


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Është ende tepër herët të paragjykohet statusi i ardhshëm i Kosovës, mirëpo ndarja është një opsion i pamundshëm dhe kjo është thënë qartë edhe nga Grupi i Kontaktit, tha sonte në mbrëmje në Prishtinë, i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari. Ai i ka bërë këto komente në një konferencë shtypi në fund të qëndrimit të tij treditor në Kosovë, me ç’ rast u takua me zyrtarë të pranisë ndërkombëtare, me ekipin negociues të Kosovës, si dhe me përfaqësues të pakicave dhe të Kishës Ortodokse serbe.
Me këtë rast, zoti Marti Ahtisari tha se ishte pritur shumë mirë në Prishtinë dhe kishte marrë qëndrimet e ekipit negociues të Kosovës:
"Unë ua kam bërë të ditur të gjithë bashkëbiseduesve se po e bëjmë statusin bashkë me standardet dhe është me rëndësi të ketë stabilitet gjatë kësaj kohe," tha zoti Ahtisari. Ai tha po ashtu se kohëzgjatja e bisedimeve nuk varet nga ai, por nga përparimet që bëjnë palët e përfshira dhe nga bashkëpunimi i tyre.
"Nuk varet nga ne se sa do të zgjasë, por i takon Sekretarit të Përgjithshëm përcaktimi i afateve kohore, ndërsa është vendim përfundimtar i Këshillit të Sigurimit të vendosë se cila do të jetë zgjidhja për statusin e Kosovës," tha zoti Ahtisari, për të shpjeguar se nesër do të jetë në Beograd, ndërsa deri të shtunën do të vizitojë edhe Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Zoti Marti Ahtisari tha se nuk dëshironte të spekulonte se cila do të jetë zgjidhja për statusin e Kosovës, por tha se kjo zgjidhje nuk mund të jetë ndarja:
"Unë nuk e mbështes ndarjen dhe nëse shihni parimet e Grupit të Kontaktit, kjo është e qartë dhe është thënë nga vende të rëndësishme, se nuk mund të ketë ndarje," tha zoti Ahtisari.
I dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin tha se nuk dëshironte të paragjykonte se nuk do të kishte bashkëpunim në këtë proces, por kërkoi që bashkë me zgjidhjen e statusit, paralelisht të shkohet me përmbushjen e disa standardeve themelore që kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave, por njëkohësisht ka kërkuar nga të gjitha palët që të angazhohen dhe mënyra më e mirë e angazhimit është ajo përmes institucioneve, tha Ahtisari, duke theksuar se të gjithë bashkëbiseduesve ua ka tërhequr vërejtjen për rëndësinë që ka stabiliteti për mbarëvajtjen e procesit:
"Unë kam kërkuar nga të gjithë se stabiliteti duhet të ruhet përgjatë këtij procesi dhe nuk mendoj se trazirat mund t’i ndihmojnë dikujt," tha zoti Ahtisari, ndërkohë që zëvendësi i tij, Albert Rohan përkujtoi qëndrimet e Grupit të Kontaktit se zgjidhjet dhe veprimet e njëanshme nuk do të tolerohen, ndërsa liderët që nxisin dhunën do të konsiderohen të parëndësishëm për procesin. Zoti Ahtisari tha se nuk e dinte se sa do të vazhdojë diplomacia e tij e vajtje- ardhjeve dhe kur do të mund të bëhej një takim i drejtpërdrejtë i palëve, pasi siç u shpreh ai, nuk besoj se do të jetë e mundur t’i detyroni njerëzit të bisedojnë njëri me tjetrin nëse nuk duan.
Sidoqoftë, i dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin, Marti Ahtisari tha se detyra e tij ishte gjetja e zgjidhjes për statusin e ardhshëm të Kosovës. Ne flasim për statusin e ardhshëm dhe ai mund të jetë edhe përfundimtar, por misioni ynë ka të bëjë me statusin e ardhshëm dhe ky është përshkrimi i detyrave të mia, tha ndër të tjera Marti Ahtisari, në fund të qëndrimit të tij treditësh në Kosovë.
Ai sot gjatë ditës ka takuar përfaqësues të ndryshëm politikë të serbëve të Kosovës, të cilët i kanë thënë atij se pavarësia e Kosovës është e papranueshme për ta, ndërkohë që pakicat e tjera joserbe kanë thënë se e mbështesin vullnetin e popullatës shumicë për Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran.




XS
SM
MD
LG