Ndërlidhjet

NË KOSOVË NUK MIRËPRITET DEKLARATA E AHTISARIT PËR MOSAFATIZIMIN E ZGJIDHJES SË STATUSIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës nuk mund dhe nuk duhet të shtyhet pafundësisht dhe duhet të përcaktohet njëfarë kornize kohore për mbarimin e këtij procesi, kanë thënë zyrtarë të institucioneve të Kosovës. Ata i kanë bërë këto vlerësime duke komentuar deklaratat e djeshme të të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, i cili tha se nuk mund të përcaktohet një kornizë kohore, brenda të cilës do të finalizohej procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës.
Muhamet Hamiti, zëdhënës i presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, tha se në këtë kuptim, procesi nuk mund të jetë më i gjatë sesa çështje muajsh.
"Procesi ndërkombëtar i statusit të Kosovës duhet të përfundojë brenda një afati optimal dhe pa vonesa të panevojshme. Është në interesin e Kosovës që kjo të jetë çështje muajsh e më pak se një vit, gjithsesi. Ndoshta mesi i vitit 2006 është afat optimal," tha zoti Hamiti. Ndërkohë që edhe shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Soren Jessen Petersen, disa herë ka theksuar se mesi i vitit 2006 mund ta gjejë Kosovën me status të zgjidhur dhe se zgjatja e procesit nuk është e mirëseardhur.
Edhe zyrtari për informim i qeverisë së Kosovës, Sylë Ukshini, tha se mesi i vitit të ardhshëm do të duhej të ishte koha e përmbylljes së procesit:
"Kjo mendoj se nuk është larg qëndrimit të qeverisë së Kosovës dhe palës kosovare se procesi duhet të përmbyllet diku në mesin e vitit 2006".
Mirëpo, shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Jakup Krasniqi, tha se mosafatizimi është një veprim i mençur i zotit Ahtisari:
"Mosafatizimi i bisedimeve mendoj se është puna më e mençur e mundshme, pasi bisedimet fluturuese nuk do të jenë të lehta".
Përderisa përcaktimi i kornizës kohore është vlerësuar i rëndësishëm, zyrtarët mendojnë se qytetarët e Kosovës, ndryshe nga zoti Ahtisari, mendojnë se zgjidhja duhet të jetë përfundimtare dhe statusi të mos jetë kalimtar:
"Pavarësia e Kosovës është zgjidhja, pavarësisht a i thonë “statusi i ardhshëm”, me gjuhën e OKB-së, apo “status përfundimtar”, siç presin qytetarët e Kosovës, pas statusit të përkohshëm nën administrim të OKB-së për këto gjashtë-shtatë vjet", tha zëdhënësi i presidentit Rugova, Muhamet Hamiti. Ndërkaq zëdhënësi i qeverisë, Sylë Ukshini tha se kjo më shumë është çështje e terminologjisë, sesa pasqyrim real i procesit:
"Në bazë të parimeve të Grupit të Kontaktit, Kosova është duke shkuar kah faza e përcaktimit të statusit përfundimtar, pavarësisht se si do të mund të formulohej kjo çështje".
I dërguari i posaçëm i Kombevë të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, në fund të vizitës së tij treditëshe Kosovës, tha mbrëmë se përshkrimi i detyrës së misionit të tij ishte statusi i ardhshëm, ndërkohë që do të ishte mirë që ai status të ishte edhe përfundimtar, tha Ahtisari.




XS
SM
MD
LG