Ndërlidhjet

GAZETARËT KUNDËRSHTOJNË UDHËZUESIN E OSBE-SË PËR SJELLJEN E MEDIAVE NDAJ POLICISË


Albana Isufi, Prishtinë

Një udhëzues se si duhet të sillet policia me mediat dhe mediat me policinë ka filluar t’u shpërndahet policëve dhe gazetarëve.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian ka nxjerrë këtë udhëzues për të përmirësuar raportet mes këtyre dy institucioneve. Kjo vjen pak kohë pasi gazetarë dhe fotoreporterë janë arrestuar nga policia derisa po mbulonin ngjarje të caktuar.
Sven Lindholm, zëdhënës i OSBE-së, shpjegon udhëzuesin.
“Udhëzuesi nuk është ligj dhe kjo është një mënyrë ku mund të ndërveprojnë më mirë që të dy palët, sepse kemi situata të tensionuara, si p.sh. kur hetohen krimet. Udhëzimi u ndihmon mediave për të kuptuar se nuk munden thjesht, që të pengojnë punën e policëve, nuk munden vetëm të vendosin kamerën apo të pengojnë në vendin e ngjarjes”, thotë Lindholm.
Por, një udhëzues i tillë është quajtur i gabuar nga gazetarët kosovarë. Ramiz Kelmendi, drejtues i Fakultetit të Gazetarisë Faik Konica, thotë se është ky një hap i padrejtë dhe i pakuptimtë, pasi gazetaria shqiptare nuk është e re por ka një traditë 150 vjeçare.
“Problemi them unë nuk qëndron tek gazetarët, por qëndron pikërisht tek institucioni që e ka nxjerrë dhe e ka parë të arsyeshme të nxirret një tip udhëzuesi. Nuk ka nevojë për kurrfarë udhëzimesh, në mënyrë të veçantë për arsye se gazetarit nuk mund t'ja imponosh me kurrëfarë udhëzimi mënyrën si duhet të shkruajë dhe sidomos çfarë duhet të shkruajë ai, çfarë pyetjesh duhet t'i bëjë, çfarë guxon dhe çfarë nuk guxon. Ndryshe kemi të bëjmë me censurë dhe unë mendoj se censura ka vdekur, ose do duhej të kishte vdekur këtu të paktën në Kosovë."
Por, në anën tjetër policia përshëndet një udhëzues të tillë. Aq më tepër policia ka filluar të mbajë trajnime se si duhet të sillet me gazetarët. Sabrie Kamberi është zëdhënëse e SHPK-së.
“Janë mbajtur trajnime për t'i bërë të ditur të gjithë policëve se deri ku ka të drejtë gazetari të ketë qasje në vendin e ngjarjes, në protesta dhe çdokund."
Sven Lindholm shpreson se mediat duhet vetë ta dinë se sa larg mund të shkohet në mbulimin e ndonjë ngjarjeje, që është më e ndjeshme.
“Kjo do të ndihmonte policinë dhe mediat që të bashkëpunojnë duke lejuar që të dy palët të kryejnë punën e tyre, në mënyrë efikase, që policia të mund të hetojë në mënyrë efikase vendin e ngjarjes dhe mediat të jenë të gatshme që të marrin informatat e nevojshme, që i duhen publikut”, thotë Lindholm.
Por, pikërisht marrja e këtyre informatave, sipas Kelmendit, ka qenë një sfidë për gazetarët në vitet e pasluftës.
“Jo rrallë na ka qëlluar që kemi patur "ndeshje" midis gazetarëve dhe institucioneve të ndryshme këtu në Kosovë. Këto lloj ndeshjesh po vijojnë të ekzistojnë edhe tash e tutje. Unë mendoj se kontakti midis gazetarëve dhe institucioneve të ndryshme, cilatdo qofshin këto dhe në çfarëdo lloj niveli të jenë, duhet të jenë shumë më korrekte."
Kufizimet, që u janë bërë gazetarëve kosovarë gjatë kryerjes së detyrave të tyre, sipas Kelmendit përbëjnë shkelje të të drejtës për të informuar.
“Jo vetëm shkelet e drejta dhe kodi moral që ka secili gazetar, por unë them që shkelet edhe kodi juridik, kodi ligjor, sepse ta pengosh gazetarin të kryejë detyrën e tij dhe detyra e tij është e detyrueshme të informojë saktësisht, drejt dhe objektivisht, është për mua një delikt do të thosha, delikt edhe moral edhe juridik."
Ramiz Kelmendi thotë se nuk është vetëm përgjegjësi e mediave që të mbajnë të informuar publikun. Një pjesë të kësaj përgjegjësie duhet të mbajnë edhe vetë institucionet, duke lejuar që gazetari të ketë qasje në burimet e informacionit brenda institucioneve.


XS
SM
MD
LG