Ndërlidhjet

KOSUMI HEDH POSHTË PLANIN SERB PËR NDARJEN E KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Propozimi i zotit Tadiq për ndarjen e Kosovës në dy entitete është thirrje për zgjidhje ekstremiste të problemit, tha sot pasdite kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi. Ai i ka bërë këto vlerësime duke e komentuar një deklaratë të presidentit të Serbisë Boris Tadiq, i cili ka propozuar ndarjen e Kosovës në entitetin shqiptar dhe atë serb. Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, tha se kjo është një zgjidhje e papranueshme, jo vetëm për Kosovën, por edhe për bashkësinë ndërkombëtare:
"Plani i zotit Tadiq për ndarjen e Kosovës në dy entitete bie në kundërshtim me parimet e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën, bie në parim me dhjetë parimet e Grupit të Kontaktit, por edhe me ato të miratuara në prill dhe njëkohësisht është thirrje për ripërtëritjen e konflikteve të vjetra në këtë pjesë të Evropës".
Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi tha se qeveria e Serbisë, edhe një herë po dëshmon se nuk është e gatshme të diferencohet nga politikat etnike që kanë shkaktuar disa luftëra, gjakderdhje dhe gjenocide në disa pjesë të ish-Jugosllavisë. Kryeministri Kosumi tha se ky propozim është thirrje për ndarje ekstremiste të problemit, ndërkohë që Kosova kërkon të ndahet në menyre paqësore nga Serbia:
"Kosova i ka kufijtë e saj dhe çdo përpjekje për ta ndarë në baza nacionale është thirrje për zgjidhje ekstremiste të problemit, gjë që nuk do të pranohet, as prej nesh dhe unë besoj fuqimisht, as prej ndonjë vendi tjetër demokratik. Ne kemi hyrë në procesin e bisedimeve dhe duam që në mënyrë paqësore të ndahemi me Serbinë si fqinjë dhe të mbetemi fqinjë të mirë në të ardhmen."
Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi tha se Kosova do të jetë shtet i qytetarëve të saj dhe pavaresia e saj do të ruajë paqen dhe stabilitetin në rajon dhe do të ndikojë pozitivisht në të gjitha vendet e rajonit që energjitë e veta t’i drejtojnë kah zhvillimi, progresi dhe prosperiteti dhe jo që të shikojnë me armiqësi kah fqinjët e tyre. Këto deklarata kanë ardhur pikërisht në ditën kur i dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës Marti Ahtisari ka shkruar në Beograd, pas një qëndrimi treditor në Kosovë, me ç’ rast tha se ndarja e Kosovës është opsion i pamundshëm. Zoti Ahtisari, pa e paragjykuar statusin tha se nuk kishte një afat të përcaktuar që më parë për kohëzgjatjen e bisedimeve. Lidhur me këtë deklaratë, zyrtarë të institucioneve të Kosovës thanë se procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës nuk mund dhe nuk duhet të shtyhet pafundësisht.
Muhamet Hamiti, zëdhënës i presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, tha se në këtë kuptim, procesi nuk mund të jetë më i gjatë sesa çështje muajsh.
"Procesi ndërkombëtar i statusit të Kosovës duhet të përfundojë brenda një afati optimal dhe pa vonesa të panevojshme. Është në interesin e Kosovës që kjo të jetë çështje muajsh, e më pak se një vit, gjithsesi. Ndoshta mesi i vitit 2006 është afat optimal," tha zoti Hamiti, ndërkohë që edhe shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Soren Jessen Petersen, disa herë ka theksuar se mesi i vitit 2006 mund ta gjejë Kosovën me status të zgjidhur dhe se zgjatja e procesit nuk është e mirëseardhur. Ndërkaq lidhur me deklaratën e zotit Ahtisari se misioni i tij ishte gjetja e statusit të ardhshëm dhe jo e statusit përfundimtar, zoti Hamiti tha se zgjidhja është pavarësia e Kosovës, pavarësisht a i thonë “statusi i ardhshëm”, me gjuhën e OKB-së, apo “status përfundimtar”, siç presin qytetaret e Kosovës.
I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari në fund të vizitës së tij treditore Kosovës, tha mbrëmë se përshkrimi i detyrës së misionit të tij ishte statusi i ardhshëm, ndërkohë që do të ishte mirë që ai status të ishte edhe përfundimtar, tha Ahtisari.



XS
SM
MD
LG