Ndërlidhjet

SERBËT E KOSOVËS TË PAKËNAQUR ME BEOGRADIN


Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës e kanë përshëndetur formimin e grupit negociator të Serbisë për statusin e Kosovës, por njëkohësisht konsiderojnë se në delegacion ka pak serbë të Kosovës dhe se ata janë zgjedhur sipas përkatësisë partiake. Vërejtja tjetër e tyre ka të bëjë me faktin se në ekipin negociator janë përfshirë përfshirë serbët nga veriu i Kosovës, ndërkohë që janë lënë anash përfaqësuesit nga pjesët e tjera.
Lideri i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviq thotë se përfaqësimi i serbëve në grupin negociator të Serbisë është bërë me marrëveshje ndërmjet presidentit Tadiq dhe kryeministrit Koshtunica dhe sipas tij, vetëm dy përfaqësues të serbëve të Kosovës janë tepër pak:
"Përkatësia partiake e tyre ka qenë elementi vendimtar, ndërsa problemi i dytë është se ka shumë pak serbë të Kosovës", tha zoti Ivanoviq.
Në delegacionin e Serbisë për negociatat lidhur me statusin e Kosovës nga serbët e Kosovës janë emëruar Mrko Jakshiq nga Bashkësia Serbe e Komunave të Kosovës, një organizëm që UNMIK-u nuk e njeh dhe Goran Bogdanoviq, ish-ministër në qeverinë e Kosovës.
Ivanoviq mendon se kjo është një shenjë për qëndrim tepër të fortë të palës serbe:
"Në esencë ky do të jetë një qëndrim shumë i fortë dhe i pakompromis dhe mendoj se është shumë vështirë të arrihet deri te ndonjë rezultat që do të ishte i papranueshëm", tha Ivanoviq.
Rangjel Nojkiq, shef i grupit parlamentar të Listës Serbe thotë se është keq që në grupin negociator janë përfshirë vertëm serbët nga veriu i Kosovës:
"Vërejtja ime kryesore është se nuk është përfaqësuar aspekti territorial i Kosovës, pasi nuk janë përfaqësuar serbët e pjesës qendrore, Dukagjinit dhe Anamoravës", tha Nojkiq.
Krijimi i grupit negociator të Serbisë në të cilin janë edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës e ka pamundësuar paraqitjen e serbëve të Kosovës si delegacion i tretë. Lidhur me atë se sa mund të përfaqësohen interesat e serbëve të Kosovës në këtë mënyrë, Ivanoviq thotë:
"Përveç pajtueshmërisë së lehtë që mund ta ndërtojmë lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës, serbët e Kosovës dhe Beogradi zyrtar kanë qëndrime të ndryshme lidhur me prioritetet", tha Ivanoviq, sipas të cilit vetëm serbët e Kosovës janë në gjendje të thonë se cilat janë interesat kryesore të serbëve të Kosovës.
Udhëheqja e Serbisë dhe delegacioni i Serbisë në negociatat për statusin duhet të insistojë për çështjet për të cilat ka tërhequr vërejtjen i dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin, zoti Marti Ahtisari:
"Ajo që e ka thënë edhe Ahtisari është se duhen ndërtuar mekanizmat për mbrojtjen e serbëve dhe të pakicave të tjera në Kosovë, që do të thotë se decentralizimi është njëri prej tyre", tha Nojkiq për të shtuar se edhe përmbushja e standardeve duhet të vazhdojë. Sidoqoftë, Lista serbe edhe më tej do të përfaqësojë interesat e serbëve të Kosovës në konsultimet e mëtejshme rreth statusit politik të Kosovës, tha Oliver Ivanoviq, i cili ka mebtur jashtë grupit negociator të Serbisë.

Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG