Ndërlidhjet

NDARJA E KOSOVËS NUK ËSHTË OPSION, PËRSËRIT JESSEN PETERSEN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Ndarja e Kosovës nuk është opsion i bisedimeve për zgjidhjen e statusit të saj, ka thënë sot kryeadministratori ndërkombëtar Soren Jessen Petersen. Ai i ka siguruar qytetarët e Kosovës se parimet e Grupit të Kontaktit nuk lënë hapësirë që në bisedimet për statusin të flitet dhe për ndarjen e pjesëve të caktuara të Kosovës, apo për ndarjen e Kosovë në dy etnitete. Këto komente Jessen Petersen i bëri sot, pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Bajram Kosumi. Ky i fundit tha se pretendimet e Beogradit përqendrohen sidomos në pjesën veriore të Kosovës, por kjo pjesë tha Kosumi, si edhe çdo pjesë brenda territorit të saj, do të mbeten çështje të brendshme të Kosovës. Sidoqoftë, Kosumi tha se meqë në Mitrovicë dhe pjesën veriore të Kosovës ka probleme me integrimin e pakicës serbe, qoftë gjatë bisedimeve për statusin, apo në një mundësi tjetër mund të bisedohet për ri-integrimin e serbëve në institucione dhe jetën shoqërore në përgjithësi:
“Ne duhet të flasim, qoftë tash, qoftë edhe gjatë bisedave për statusin përfundimtar të Kosovës, për ri-integrimin e asaj pjese dhe asaj popullate dhe institucionet e asaj pjese në strukturën tjetër të pushtetit në Kosovë. Kjo është tema për të cilën duhet të bisedohet, ri-integrimi i atyre strukturave që janë legjitime, kjo nënkupton largimin e atyre që nuk janë legjitime, dhe ri-integrimin e popullit, që është popull i Kosovës në tërësinë tjetër të Kosovës”, tha Kosumi.
Në anën tjetër, Jessen Petersen tha se bisedimet nuk do të përqendrohen në ndarje të territoreve, por kanë si qëllim të vetin zgjidhjen e statusit të Kosovës:
“Mendoj se ne mund t’i sigurojmë edhe një herë qytetarët e Kosovës duke rikonfirmuar dhe duke u thirrur në parimet e Grupit të Kontaktit se nuk do të ketë ndarje të Kosovës”, tha Jessen Petersen. Grupi i Kontaktit, shtoi ai nuk ka ndërmend t’i ndryshojë këto parime dhe nuk ka dyshime as te komuniteti ndërkombëtar në përgjithësi se ndarja në vija etnike nuk mund të jetë zgjidhje.
Pas raundit të parë diplomatik të Ahtisarit dhe ekipit të tij këto ditë në rajon, pjesa e dytë e negociatave do të fillojë në pjesën e parë të janarit dhe do të zhvillohet në një dinamikë më të shpejtë dhe mbi bazën e çështjeve konkrete që kanë të bëjnë me zgjidhjen e statusit, tha Petersen. Ndërsa bisedimet për statusin kanë filluar, shefi i UNMIK-ut tha se tani kanë filluar dhe bisedimet me Bashkimin Evropian, OSBE-në, e mekanizma të tjerë ndërkombëtarë lidhur me praninë ndërkombëtare në Kosovë pas fazës së përcaktimit të statusit.
Kryeministri i Kosovës dhe shefi i UNMIK-ut kanë biseduar sot dhe për bartjen e kompetencave te qeveria vendore në fushën e drejtësisë dhe policisë si dhe për zgjidhjen e çështjeve pronësore në Kosovë, që është vlerësuar si fushë ku janë shënuar më së paku përparime.

XS
SM
MD
LG