Ndërlidhjet

UZURPUESIT E BANESAVE NË VERI TË MITROVICËS DO TË LARGOHEN ME FORCË


Albana Isufi, Prishtinë

Shefi për çështje banesore dhe pronësore për rajonin e Mitrovicës, James Nunan, ka paralajmëruar se në veri të këtij qyteti së shpejti uzurpatorët ilegalë të pronave banesore do të largohen me forcë.
“Ne do të fillojmë të bëjmë disa largime me forcë në të ardhmen e afërt në Mitrovicën veriore”, tha Nunan.
Por, sipas shefit të Drejtorisë për Çështje Banesore Pronësore Knut Rosandhaug, përjashtim nga largimi me forcë përbëjnë personat e zhvendosur.
“Ne kërkojmë nga uzurpatorët ilegalë që të largohen, nëse kjo kërkohet nga pronari i vërtetë i banesës. Por, ne do t’i lejojmë që të qëndrojnë në pronën e zënë ata persona që kanë nevojë sociale për strehim, natyrisht nëse këtë e lejon pronari i vërtetë i banesës”, thotë Rosandhaug, duke shtuar se një gjë e tillë ka vlejtur për tërë territorin e Kosovës.
Por, koordinatori i standardit “E drejta pronësore" Baton Begolli, mendon se natyra e okupimit të banesave ka dalluar nga vendi në vend. Ai mendon se në veri të Kosovës uzurpimi i banesave është bërë për çështje politike.
“Për ne uzurpator është ai që ka marrë pronën. Ka raste kur uzurpatori e ka bërë për raste sociale, në të shumtën e rasteve është për raste përfituese, në pjesën veriore nuk ka lidhje me rastet sociale, por është qind për qind për qëllime politike”, tha Begolli.
Zyrtarët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës thonë se nga veriu i këtij qyteti janë të zhvendosura mbi 2000 familje, kryesisht shqiptare. Rrjedhimisht po kaq prona banesore, banesa kanë qenë të uzurpuara. Ndërkaq, nga jugu i qytetit janë mbi 2000 banorë të zhvendosur, kryesisht serbë. Të dy palët vazhdojnë të kenë probleme me pronat e tyre.
Në anën tjetër, Drejtoria për Çështje Banesore dhe Pronësore e UNMIK-ut, vlerëson se ka zgjidhur 99.8 përqind të rasteve të pronave të uzurpuara. Por, problemi mbetet te zbatimi i vendimeve. Shefi i kësaj drejtorie Knut Rosendhaug.
“Deri tani janë zbatuar pak më shumë se gjysma e vendimeve, besoj 57 përqind, pasi njerëzit janë të ngadalshëm të kërkojnë zbatimin e vendimeve”, tha Rosandhaug, duke shtuar se kjo drejtori nuk do të largohet nga Kosova pa e kryer misionin e saj.
Por, koordinatori i standardit “E drejta Pronësore" Baton Begolli, thotë se nuk është në dijeni nëse i është zgjatur mandati HPD-së.
“Unë nuk jam i njoftuar se ata kanë mandat të zgjatur. Prandaj mendojmë se të gjitha pronat duhet të kthehen brenda këtij viti”.
Fundi i këtij viti qe paraparë edhe si fund i misionit të Drejtorisë për Çështje Banesore Pronësore, por për shkak të mos zbatimit të të gjitha vendimeve, që kanë të bëjnë me pronat e uzurpuara banesore, ky mision do të vazhdojë të paktën deri në mars të vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG