Ndërlidhjet

ANDERSON: ZHAGITJA E BISEDIMEVE MUND TË NXJERRË PROCESIN NGA BINARËT


Alex Anderson, shef i zyrës së Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Kosovën (ICG)

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Anderson, procesi për gjetjen e zgjidhjes për statusin e Kosovës ka filluar me vizitën e zotit Marti Ahtisari në rajon. A e shihni diplomacinë e vajtje-ardhjeve si mënyrën e duhur për gjetjen e zgjidhjes?

ALEX ANDERSON
Unë e di se këtu ka plot simbolizma të rëndësishme, sidomos për palën shqiptare të Kosovës, ku përgjatë gjithë spektrit politik, pavarësia është diçka që duhet të nxirret nga bashkësia ndërkombëtare, pa pasur parasysh faktin se Serbia ka një zë në gjithë këtë proces. Ideja se pavarësia është e panegociueshme është thënë zëshëm në javët e fundit dhe për të ka pasur pajtueshmëri të gjerë në skenën politike të Kosovës. Mirëpo, nga pikëpamja e bashkësisë ndërkombëtare, Grupit të Kontaktit, Bashkimit Evropian dhe vendeve që e rrethojnë Kosovën, ato preferojnë më parë një marrëveshje që do të arrihej ndërmjet dy kryeqyteteve, Prishtinës dhe Beogradit. Ndërkohë zoti Ahtisari i di shumë mirë vështirësitë që janë për t’i sjellë së bashku Prishtinë dhe Beogradin. Vetëm duhet kujtuar se takimi i Vjenës i vitit 2003 ka dhënë idenë se takimi i drejtpërdrejtë me Beogradin është anatemë këtu në Prishtinë dhe Ahtisari është i vetëdijshëm se është shumë vështirë të organizohet takim direkt ndërmjet dy palëve. Prandaj ai ka thënë se më mirë është ndoshta të bëhet një takim nga dhoma në dhomë, siç ishte rasti në Rambuje më 1999. Sidoqoftë, në një moment, nëse ky proces do të krijojë rastin për të bërë diçka, përderisa të dyja palët, ekipi i unitetit i Prishtinës dhe ekipi negociator i Beogradit që është mbledhur shpejt para vizitës së Ahtisarit, janë dy palë negociatore që në njëfarë mënyre duhet të këmbejnë pikëpamjet.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahtisari u ka bërë thirrje të gjitha palëve të bëjnë gjithë çka është e mundur për të mbajtur stabilitetin gjatë bisedimeve për statusin. Cili është rreziku kryesor që i kërcënohet procesit të bisedave për statusin?

ALEX ANDERSON
Rreziku vjen nga gjërat që mund të ndodhin në terren në Kosovë, që do ta nxirrnin procesin nga binarët dhe në ndonjë mënyrë ta bënin procesin të gjenerojë në ndonjë situatë menaxhimi krizash. Pra rreziku kërcënohet nga akëcila palë që do të përpiqej të arrijë qëllimet e veta jashtë procesit të bisedimeve. Pra, nëse shohim kah zhvillimi i pozicioni i Beogradit për ndarjen e Kosovës në dy entitete, që tash për tash përpiqen ta çojnë përpara këtë ide përmes negociatave, ne po ashtu po shohim zhvillime në Kosovë të cilat mund të ndikojnë në zhvillimet në terren. Ne kemi situatën e vazhdueshme të ndarjes efektive të Kosovës duke pasur linjë ndarëse lumin Ibër, që duhet të zgjidhet përmes procesit, duke pasur edhe disa arritje në terren dhe disa marrëveshjeve ndërmjet palëve për aranzhmane që do t’i gjenin komunat veriore të mbizotëruara nga serbët brenda Kosovës. Nëse një marrëveshje e tillë nuk arrihet gjatë procesit, atëherë rrezikohet një lloj shpërthimi në veri. Po shikuam më në Jug kemi rastin e Shtërpcës që po shndërrohet në një pikë të nxehtë, me faktin që komuna po kërkon që njësitë speciale të policisë kosovare rajonale të tërhiqen, pastaj kemi parë një sërë incidentesh gjatë javëve të fundit. Kështu, ne po shohim një proces të mundësisë së frakturimit territorial të Kosovës, që po ndodh gjatë procesit dhe jashtë procesit dhe kjo mund të përbëjë një shqetësim. Bashkë me këtë, kemi edhe thirrjet e shqiptarëve që proces të jetë sa më i shkurtër që të jetë e mundur.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuptim, zoti Anderson, i dërguari i posaçëm Ahtisari ka thënë se nuk ka ndonjë kornizë kohore për bisedimet lidhur me statusin. A është e mundur që të ruhet stabiliteti i kërkuar nga zoti Ahtisari përgjatë një procesi që do të zgjaste shumë?

ALEX ANDERSON
Ahtisari ka bërë thirrje, po ashtu nga palët dhe këtë e ka bërë edhe në Prishtinë, që të bëjnë propozimet e tyre konkrete sa më shpejt që të jetë e mundur dhe që të jenë plotësisht të angazhuar në proces, në mënyrë që të sigurohet arritja deri te ndonjë konkluzion sa më shpejt që të jetë e mundur. Tani, nëse shohim pozicionin themelor të palës shqiptare, edhe pse duket paksa kundërthënës me dokumentin e dorëzuar zotit Ahtisari, kështu, pozicioni themelor është “na njihni neve si shtet sovran dhe nga kjo do të rrjedhë vetvetiu implementimi i obligimeve, decentralizimi e kështu me radhë, si dhe mbrojtja e pakicave. Në të vërtetë, edhe Beogradi, edhe serbët e Kosovës e edhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, më shumë shohin diçka me rrjedhë të kundërt, pra kërkojnë garanci që më përpara, kërkojnë sugjerime dhe propozime konkrete nga pala shqiptare e Kosovës si do të akomodojë posaçërisht pakicën serbe. Dhe, në përpjekje që këto propozime të jenë të bëra shpejt, në mënyrë që procesi të çohet përpara shpejt dhe në këtë kuptim shqiptarët e Kosovës janë në shpërputhje me atë që kërkon bashkësia ndërkombëtare dhe në vend të kësaj ne kemi një program maksimalist të plasuar nga ekipi i unitetit dhe nga spektri i gjerë politik i shqiptarëve, për të bërë një kornizë për muajt e ardhshëm dhe kjo vjen pikërisht në kohën kur bashkësia ndërkombëtare kërkon në mënyrë efektive koncesione nga pala shqiptare, për të ndier se ka hapësirë për manovrime për ta shtyrë Beogradin që ta pranojë një formë të pavarësisë për Kosovën. Në pikëpamjet e tyre, Beogradi dhe serbët e Kosovës po përpiqen t’i sigurojnë këto garanci për serbët e Kosovës në mënyrë që ta bëjnë sa më të vështirë për Kosovën që të bëhet funksionale dhe që ta ketë njëfarë administrimi unitar, në mënyrë që të dëmtojnë gjasat e Kosovës për të qenë funksionale. Nga perspektiva e tyre, shumica e serbëve të Kosovës e kërkojnë decentralizimin si një shpresë për mekanizëm për të mbijetuar dhe për ta ruajtur praninë e tyre në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Mirëpo, sa e dëmton stabilitetin fakti që negociatat mund të jenë të stërzgjatura?

ALEX ANDERSON
Sa më shumë që zgjasin bisedimet, kemi më shumë rrezik dhe kemi një dritare më të madhe të mundësisë që gjërat të shkojnë keq në terren. Kështu që, sa më shumë që zgjat procesi, më të mëdha janë gjasat që diçka të shkojë gabimisht. Sidoqoftë, kjo varet po ashtu edhe nga cilësia e procesit. Nëse e shohim ambientin politik këtu në Kosovë në disa javët dhe muajt e fundit, ka pasur një ndjenjë deri në momentin e fundit se spektri politik nuk është krejt i bashkuar lidhur me statusin përfundimtar dhe patëm një shtyrje të gjatë të takimit të ekipit të unitetit. Kjo mendoj se ka shkaktuar një lloj nervozizmi në përgjithësi, që krijuar hapësirë për ushtritë e ndryshme fantome që kanë shpallur veten gati në baza mujore dhe po ashtu ka krijuar hapësirë për lëvizjen Vetëvendosja të Albin Kurtit, që është një lëvizje ekstremiste e të rinjve dhe që unë e shoh si ide absurde që Kosova të zërë vendin e saj në klubin e shteteve përmes demonstratave masive për të përzënë UNMIK-un dhe KFOR-in, duke mos parë nevojën për të negociuar rrugën e Kosovës për anëtarësim në këtë klub.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, një pyetje e fundit, zoti Anderson. Së fundi ka pasur mospajtime ndërmjet anëtarëve të grupin negociator të Kosovës. A besoni se ato mospajtime janë tejkaluar me të vërtetë?

ALEX ANDERSON
Mendoj se në të dyja palët kemi ende disponim për manovra politike dhe mospajtime, si në ekipin e Prishtinës, ashtu edhe në të Beogradit. Kohët e fundit kemi parë disa akuzime shumë publike në televizion, ku folës të ndryshëm me siguri se nuk kanë luajtur rol pozitiv për ndërtimin e agjendës dhe secila nga palët dhe disa nga figurat e mëdha, kërkojnë avantazhe për partitë e tyre politike dhe madje edhe duke manovruar edhe brenda partive, duke e parë procesin e statusit një nga materialet në atë lojë manovrash. Ngjashëm, po ndodh edhe me ekipin e Beogradit, ku deri vonë, deri një natë para shkuarjes së Ahtisarit, ku partia e presidentit Tadiq e distanconin vetveten nga të qenit pjesë e ekipit negociator të Beogradit, pastaj Partia Demokratike abstenoi gjatë miratimit të rezolutës për Kosovën, ndërsa kryeministri Koshtunica më shumë u mbështet në konsultimet me Partinë Socialiste dhe me radikalët për bërjen e kësaj rezolute.

Intervistoi Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG