Ndërlidhjet

PROTESTUESIT KËRKOJNË LIRIMIN E LIMAJT, BALAJT DHE MUSLIUT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Dhjetëra mijëra qytetarë kanë protestuar sot rrugëve të Prishtinës duke kërkuar lirimin e Fatmir Limajt, Haradin Balajt e Isak Musliut, aktgjykimi i të cilëve pritet të shpallet më 30 nëntor nga Tribunali i Hagës. Marshi paqësor me moton “në pritje të lirimit”, i organizuar nga shoqatat e dala nga lufta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës, ka filluar në orën 12:00 nga Fakulteti Filologjik për të vazhduar për një orë nëpër rrugët e qendrës së Prishtinës dhe më pas masa është shpërndarë e qetë.
Në ballë të protestës ishin dhe figura politike të Kosovës. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi tha se ka dalë të protestojë dhe kërkojë njëkohësisht liri për ish-pjesëtarët e UÇK-së, të cilët sipas tij, po trajtohen padrejtësisht nga ana e Gjykatës së Hagës:
“Protesta është vullnet i qytetarëve të Kosovës për të protestuar në këtë mënyrë kundër padrejtësisë që po bëhet në emër të drejtësisë”, tha Krasniqi.
Ndërkohë, Faik Fazliu nga shoqatat e dala nga lufta, tha se protesta ishte shenjë pakënaqësie me vetë gjykimin e Limajt me shokë:
“Kemi qenë të bindur qysh edhe më herët se akuzat ndaj bashkëluftëtarëve tanë janë kryekëput politike dhe të shërbyera nga shërbëtorët e Millosheviqit dhe punëtorët e UDB-së. Ne kërkojmë edhe një herë fuqishëm nga Gjykata e Hagës që të mos bjerë në lajthitje të prokurorisë dhe bashkëluftëtarët tanë të jenë të lirë që nga data 30 nëntor”, tha Faik Fazliu, duke shtuar se shoqatat e dala nga lufta janë në pritje të vendimit të Gjykatës së Hagës më 30 nëntor, duke shpresuar se Limaj me shokë do të lirohen dhe kthehen në shtëpi.
Gjatë luftës, Fatmir Limaj ishte komandant i UÇK-së në rrethinën e Malishevës, kurse pas luftës ishte anëtar i Kryesisë dhe shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës. Procesi i gjykimit të Limajt, Balajt e Musliut ka filluar me 15 nëntor të vitit të kaluar dhe ka përfunduar para pak kohësh, përderisa më 30 nëntor pritet shpallja e aktgjykimit.





XS
SM
MD
LG