Ndërlidhjet

PRESIDENCA DHE KRYEMINISTRIA DËNOJNË DJEGIEN E FLAMUJVE TË PRESIDENCËS


Albana Isufi, Prishtinë

Shoqatat e dala nga lufta kanë djegur sot përballë Kuvendit komunal të Prishtinës, një grumbull flamujsh të presidencës, me arsyetimin se vendosja e këtyre flamujve në rrugët e kryeqytetit, përkrah atyre kombëtarë nga ana e Kuvendit komunal, ka nxitur provokim të qytetarëve. Por në një komunikatë për mediat të lëshuar nga presidenca e Kosovës, akti i djegies së flamujve është quajtur shkelje e rëndë e rendit dhe e ligjit në Kosovë. Propozimi i presidentit për simbolin shtetëror është legjitim dhe publik. Presidenti Rugova ka premtuar se sipas procedurave demokratike, këto propozime do të paraqiten për miratim në Kuvendin e Kosovës, thuhet në komunikatën e presidencës.
Ndërkaq më herët, kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftë së UÇK-së, ka quajtur të padrejtë vendosjen e flamurit të presidencës në rrugët e kryeqytetit, duke e quajtur atë flamur personal.
“Ne kemi organizuar dje heqjen e këtyre flamujve në mënyrë që të ndalim sot atë më të keqen, provokimin e qytetarëve tanë".
Djegien e flamurit të presidencës e ka dënuar edhe kryeministria.
Shefi për informim i zyrës së kryeministrit Sylë Ukshini tha se Kosovës në këto momente i duhet uniteti dhe të gjitha energjitë duhen drejtuar në këtë drejtim.
"Këto janë momente kur ne duhet të jemi të bashkuar dhe të fokusuar në çështjen e negociatave për statusin e Kosovës, të cilat priten të përfundojnë. Jo priten por kemi detyrim dhe angazhim që këto të përfundojnë dhe të mbyllen sa më shpejt, deri në qershor të vitit 2006".
Vendosja e flamujve të presidencës nëpër disa qendra të Kosovës, sipas zyrtarëve të presidencës është bërë me vendim të kuvendeve komunale. Zyrtarët e Kuvendit komunal të Prishtinës janë kontaktuar nga radio Evropa e Lirë, por nuk ka qenë e mundur t'u merret ndonjë deklaratë rreth incidentit me flamujt.
Ndërkohë, Faik Fazliu, nga Shoqatat e dala nga lufta, ka thënë se i vetmi flamur i shqiptarëve duhet të jetë flamuri aktual kombëtar.
“Të gjithë këta njerëz nuk durojnë dot identitet tjetër përveç identitetit tonë shqiptar dhe flamurit tonë kombëtar."
Presidenca e Kosovës ka thënë se shteti i pavarur i Kosovës duhet t'i ketë simbolet e veta autentike. Ndërkaq Sylë Ukshini, nga zyra e kryeministrit, thotë se për simbolet shtetërore, do të vendosin institucionet.
"Mendojmë se përmes reagimeve emocionale, përmes rrugës, nuk është zgjidhja më e mirë. Zgjidhja sigurisht do të gjendet në kohë, në kuadër të institucioneve", tha Sylë Ukshini.
Në anën tjetër qytetarët e Prishtinës mendojnë se me formimin e shtetit të Kosovës, rrjedhimisht duhet të krijohen edhe simbolet shtetërore. Edhe flamuri duhet të dallojë nga ai kombëtar:
“Nëse formohen dy shtete, dhe që duhet të formohen, atëhere secili shtet duhet ta ketë flamurin e vet. Tjetër është flamuri kombëtar e tjetër është ai shtetëror", thotë njëri nga qytetarët, ndërkaq sipas Nyrie Feratit:
"Natyrisht e meriton atë. Si çdo shtet tjetër duhet ta ketë flamurin si simbol të një shteti."
Sipas Abdullah Mehmetit: "Nëse duam të jemi pjesëtarë të Kombeve të Bashkuara si shtet, atëhere duhet të kemi flamurin simbolet të gjitha që i ka një shtet".
Por, qytetarët mendojnë se kjo duhet të arrihet vetëm me anë të referendumit.
Shaban Beqiraj:" Mendoj që duhet të ketë flamurin e vet, por sipas të drejtave të popullit, qysh e përcakton populli ose parlamenti". Ndërsa një qytetar tjetër thotë:
"Gjithshka duhet të shkojë përmes referendumit ose përmes parlamentit".
Deri tani ka qenë vetëm presidenca e Kosovës që ka disajnuar një flamur tjetër nga ai kombëtar, flamurin e Dardanisë, ndërkaq edhe pse tashmë ka filluar procesi i bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës dhe qëllim kryesor i institucioneve të Kosovës është pavarësia dhe krijimi i shtetit, vetë këto institucione nuk kanë diskutuar deri tani për krijimin edhe të simboleve shtetërore.



XS
SM
MD
LG