Ndërlidhjet

logo-print

QËNDRIMET E BEOGRADIT VAZHDOJNË TË PËRÇAJNË SERBËT E KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Formimi i grupit negociator të Serbisë për bisedimet lidhur me statusin e Kosovës ka nxjerrë në sipërfaqe mospajtimet dhe përçarjet politike sidomos në mesin e serbëve të Kosovës, thonë përfaqësues politikë dhe qytetarë serbë të Kosovës. Ata thonë se zyrtarët në Serbi më shumë u japin rëndësi mospajtimeve ndërmjet tyre, sesa interesit kombëtar, duke bërë përpjekje të vazhdueshme që fajin për gjendjen e tashme të serbëve dhe përgjegjësinë për të ardhmen t’ia hedhin njëri-tjetrit. Kjo situatë reflektohet me të madhe te serbët e Kosovës thotë Oliver Ivanoviq, bartës i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, si subjekti më i madh politik i serbëve të Kosovës që ka marrë pjesë në zgjedhjet për parlamentin e Kosovës.
"Mendoj se ende është zgjidhje më e mirë që kryeministri Koshtunica të kuptojë se cilat janë rreziqet nga ky mosunitet dhe nga pasojat dhe të kërkojë zgjedhje të jashtëzakonshme, parlamentare," tha Oliver Ivanoviq, pasi sipas tij, Koshtunica do të detyrohet që zgjedhjet e jashtëzakonshme t'i organizojë gjatë procesit të bisedimeve dhe kjo nuk do ta pengojë vazhdimin e atyre bisedave, por përkundrazi, qeveria e re do të jetë në pozicion edhe më të keq.
Ndërkaq, kryetari i Këshillit Nacional të Serbëve të Kosovës, Milan Ivanoviq, thotë se ka pritur unitet absolut të të gjitha partive relevante në Serbi kur bëhet fjalë për një çështje kaq të rëndësishme si statusi i Kosovës.
"Megjithatë, në Beograd ka mungesë uniteti. Ka parti jorelevante dhe shumë organizata joqeveritare që kanë shumë ndikim dhe janë të përfaqësuara në sferën mediatike," tha Milan Ivanoviq, duke e parë këtë një gjë të keqe.
Vetë qytetarët serbë i shohin politikanët që i përfaqësojnë si rrezikun kryesor për rrjedhën dhe rezultatin e bisedimeve për statusin e Kosovës.
"Fakti që politikanët janë aktualisht të ndarë apo duke u grindur, mund të ketë pasoja të mëdha për ne," tha një qytetar, ndërsa tjetri tha se "shqiptarët janë 90 për qind më mirë sesa serbët në çështje të unitetit."
Peshkopi i Lipjanit Teodosije thotë se ditët e ardhshme që nuk do të jenë të lehta dhe me vete do të sjellin probleme dhe sfida duhen pritur me përgatitje dhe jo duke shikuar anët e jashtme por ato esencialet:
"Nëse jemi në gjendje të qëndrojmë, do të mund të merremi edhe me çështje të tjera, e në të kundërtën e kemi mbyllur rrëfimin dhe të tjerët do të merren me atë, me të cilën do të duhej të merreshim ne," tha peshkopi Teodosije.
Përfaqësues të serbëve të Kosovës kanë bërë shumë vërejtje lidhur me përbërjen e grupit negociator, duke theksuar se ai është pasqyrim aleancave ndërpartiake dhe lënie anash e përfaqësuesve të serbëve që jetojnë në Kosovën qëndrore, pasi në grupin negociator të Serbisë janë përfshirë vetëm përfaqësues të serbëve nga veriu i Kosovës.

XS
SM
MD
LG