Ndërlidhjet

logo-print

INSTITUCIONET DUHET TË VENDOSIN PËR SIMBOLET E ARDHSHME SHTETËRORE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Flamuri është simbol i kombit apo i një shteti që miratohet nga organi ligjvënës dhe zakonisht e pason shpalljen apo arritjen e pavarësisë së një vendi, thotë eksperti i të Drejtës Kushtetuese, Fatmir Fehmiu. Në vendet moderne, thotë ai, simbolet si stema dhe flamuri rregullohen me Kushtetutë. Ndërkaq, lidhur me paqartësitë e shumta që në Kosovë janë paraqitur me rastin e 28 nëntorit, ditë kjo kur shqiptarët festojnë ditën e flamurit, Fehmiu thotë se kjo çështje duhet të rregullohet me kushtetutë:
“Çështja e flamurit në Kosovë duhet të ketë një procedurë të caktuar, e cila duhet përcaktuar me Kushtetutë dhe natyrisht në bazë të Kushtetutës të nxirret një ligj me të cilin rregullohet përdorimi i tij. Çdo mënyrë tjetër do të kishte me qenë në kundërshtim me parimet themelore të kushtetutshmërisë dhje ligjshmërisë”, thekson Fehmiu.
Historiku i flamurit shqiptar, vazhdon Fehmiu rrjedh nga koha e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ky flamur, së pari ishte simbol i familjes së Kastriotëve dhe ishte ngritur në Krujë pas kthimit të Skënderbeut më 1444. Por, me rastin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 nëntor 1912, është marrë i njëjti flamur, i cili përdoret si simbol i miratuar nga Kuvendi i Vlorës. Ky flamur është përdorur edhe në Kosovë si simbol kombëtar. Mirëpo tani kur shtrohet nevoja e bisedimeve për statusin e Kosovës, del si obligim për institucionet e këtushme që t’i përcaktojnë dhe simbolet e Kosovës, thekson Fehmiu:
“Por në ambientin tonë, për shkaqe historike, populli është i ndarë në disa shtete dhe shteti shqiptar e ka simbolin të cilin e ka shpallur Kuvendi i Vlorës dhe ai merret si simbol i mbarë kombit shqiptar kudo që të jetojë. Sa i përket çështjes së flamurit si simbol shtetëror ajo duhet të shqyrtohet në përputhje me normat ndërkombëtare sepse secili vend, shtet i pavarur e ka simbolin e vet”, thekson ai.
Bazuar në parimet demokratike, Fehmiu thotë se Kuvendi i Kosovës duhet t’i përgatisë të gjitha procedurat që i takojnë në bazë të Kushtetutës dhe duke pasur parasysh se në Kuvend përfaqësohen pozita dhe opozita, duhet të ketë konsensus për simbolet e një vendi që do të paraqiten aty në bazë të një konkursi që do të shpallej. Kurse përcaktimi për këto simbole, thotë ai mund të bëhet përmes referendumit.
“Megjithëse Kosova gjendet në fazën e negociatave dhe unë do të thoja që duhet të jetë në fazën e zbatimit të të drejtës, sepse edhe me Kartën e Kombeve të Bashkuara edhe me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Demokratike, edhe me të drejtat e tjera, është përcaktuar qartë se çdo popull ka të drejtën e vetëvendosjes e në kuadër të të drejtës së vetëvendosjes ka të drejtën edhe ta përcaktojë fizionominë e simboleve të cilat duhet ta shprehin atë vetëvendosje”, tha Fehmiu.
Në fund profesori Fatmir Fehmiu thotë po ashtu se çdo imponim i simboleve do të ishte shkelje e rëndë e procedurave demokratike.

XS
SM
MD
LG