Ndërlidhjet

PËRFAQËSUESIT E FORCAVE TË KOALICIONIT NË IRAK TAKOHEN NË TIRANË


Alma Çupi, Tiranë

Zyrtarët më të lartë ushtarakë nga 34 vende të cilat kanë trupa në Irak, po diskutojnë në Tiranë të ardhmen e operacioneve në Irak. Konferenca është organizuar nga Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane dhe është pjesë e takimeve të rregullta të pjesëmarrësve të koalicionit. Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu deklaroi se Shqipëria do të vazhdojë të japë kontributin e saj në luftën kundër terrorizmit me të gjitha mundësitë, por nuk do të ketë shtim të forcave ushtarake në Irak.
"Kjo varet nga zhvillimi i situatave, nga gjykimi që do të bëjë aleanca, por duke u bazuar edhe në zhvillimin e situatës në Irak. Me një fjalë i thamë gjeneralit këtu që bërthama kryesore e aleancës tani po bëhen trupat irakene. Unë besoj dhe mendoj që nuk do të ketë nevojë për shtim forcash të tjera", tha presidenti Moisiu.
Këtë deklarim presidenti Moisiu e bëri gjatë një takimi që pati me dy gjeneralë të lartë amerikanë, komandantin e Komandës qëndrore Abizat, dhe komandantin e forcave multinacionale në Irak Xhorxh Kesi, që ndodhen në Tiranë në kuadër të një konference ndërkombëtare të organizuar nga Komanda Qëndrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të dy gjeneralët vlerësuan sot rolin e Shqipërisë në paqen dhe stabilitetin në Irak dhe Afganistan. Komandanti i forcave multinacionale në Irak Xhorxh Kesi tha se misioni i forcave aleate atje do të vazhdojë deri në përmbushjen e plotë të tij.
"Të ketë zhvillim ekonomik dhe të ketë zhvillim politik, të forcojmë institucionet irakene dhe forcat irakene të sigurisë dhe të mundim rebelët dhe luftëtarët e huaj që po përpiqen të krijojnë një bazë në Irak. Ky është edhe qëllimi ynë", tha Xhorxh Kesi.
Po dje, të dy gjeneralët e lartë amerikanë kanë takuar dhe kryeministrin Sali Berisha, takim në të cilin ishte e pranishme dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë Marsi Ris dhe Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu. Kryeministri Berisha siguroi se qeveria shqiptare mbështet qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Irakun dhe Afganistanin, luftën ndaj terrorizmit dhe është krenare për pjesëmarrjen e trupave tona në Koalicionin e Vullnetit të Mirë.




XS
SM
MD
LG