Ndërlidhjet

WHYTE: NDARJA E KOSOVËS NUK DO TA STABILIZONTE AS KOSOVËN DHE AS BALLKANIN


Nicholas Whyte, drejtor për Evropën në Grupin Ndërkombëtar të Krizave

EVROPA E LIRË
Zoti Whyte, si e shihni fazën e parë të misionit të zotit Ahtisari në rajon?

NICHOLAS WHYTE
Mendoj se misioni kaloi ashtu siç pritej. Ai shkoi t'i takojë lojtarët kyçë, dhe ç'është më e rëndësishmja, askush nuk refuzoi të bisedojë me të. Atij iu prezantuan pozicionet mjaft të fuqishme fillestare të negociatave, por nuk mund të pritni që në këtë fazë të negociatave, njerëzit të sugjerojnë se do të bëjnë kompromise. Mendoj se zoti Ahtisari e ka parë këtë si një vizitë të suksesshme.

EVROPA E LIRË
Parlamentet në Prishtinë dhe në Beograd i kanë miratuar rezolutat e tyre për statusin e ardhshëm të Kosovës. Çfarë do të ishte ndikimi i këtyre dokumentave në rezultatin e bisedimeve për statusin?

NICHOLAS WHYTE
Po, kjo duhet parë në kuptimin se deri në çfarë mase negociatorët do të jenë të kufizuar nga këto rezoluta. Me gjëra të këtilla jemi mësuar edhe nga pozicionet e negociatave të mëparshme. Mos harroni se në vitin 1998, Serbia mbajti një referendum, me të cilin e hodhi poshtë çdo rol të mundshëm ndërkombëtar në Kosovë, por ky pozicion doli se ishte i paqëndrueshëm në kohë.

EVROPA E LIRË
Presidenti i Serbisë Boris Tadiq zyrtarisht propozoi ndarjen e Kosovës përgjatë vijave etnike. Cili është komenti i juaj për këtë?

NICHOLAS WHYTE
Po, e kam pak vështirë ta kuptoj nëse ky është qëndrimi zyrtar i ekipit negociator të Beogradit. Unë kam dëgjuar pohime nga Beogradi se kjo është jokompatibile me rezolutën e Kuvendit të Serbisë, që do të thotë se nuk janë të njëjta. Por, siç e dini, ne i kemi kundërshtuar zgjidhjet e tilla. Nuk mendojmë se ato do ta stabilizonin Kosovën në veçanti, dhe as pjesët tjera të Ballkanit në përgjithësi.

EVROPA E LIRË
10 vjet më vonë, shumë diplomatë dhe ekspertë thonë se Marrëveshja e Dejtonit nuk i përmbushi pritjet, në kuptimin e ndërtimit të institucioneve.
Kur është fjala për propozimin e GNK për pjesën veriore të Mitrovicës, përse mendoni se ky model do të funksiononte në Kosovë?

NICHOLAS WHYTE
Ne këtë e kemi mbështetur në njërën nga ndërhyrjet më të suksesshme ndërkombëtare, më saktësisht për mandatin tejet të shkurtër të UNTSC-së në Sllavoninë Lindore prej vitit 1996-1998, i cili shërbeu për kalimin e asaj zone në shtetin e ri kroat. Prandaj mendojmë se kjo është pikënisje e mirë për t'u shqyrtuar.

Intervistoi Vullnet Poshka


XS
SM
MD
LG