Ndërlidhjet

logo-print

ALBERT RAKIPI: PAVARËSIA E KOSOVËS I JEP STABILITET BALLKANIT


Albert Rakipi, Kryetar i Institutit për Studime Ndërkombëtare në Tiranë

RADIO EVROPA E LIRË
Cila është qasja e ndërkombëtarëve për rolin e Shqipërisë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës?

ALBERT RAKIPI
Mendoj se është e rëndësishme që qëndrat kyçe ndërkombëtare po e dëgjojnë drejtpërsëdrejti qëndrimin zyrtar të Tiranës lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës. Siç është bërë e qartë Tirana nuk do të jetë, nuk preferon të jetë një aktor. Sigurisht që nuk ka mundësi të jetë aktor, ashtu sikurse edhe vendet e tjera në rajon nuk do të jenë aktorë, nuk do të marrin pjesë në shqyrtimin e statusit të Kosovës. Por natyrisht që Tirana zyrtare ka pikëpamjen e vet për të ardhmen e Kosovës dhe siç është bërë e qartë, Tirana mbështet pavarësinë e Kosovës, pavarësisht se si do të jetë kjo pavarësi e rregulluar me marrëveshje të cilat kanë të bëjnë me kufijtë ndërkombëtarë të Kosovës dhe me vendet e tjera, posaçërisht Shqipërinë dhe Maqedoninë. Unë mendoj se pozicioni i qartë i qeverisë shqiptare, i Tiranës zyrtare, lidhur me të ardhmen e Kosovës, në dallim nga të gjitha vendet e tjera të rajonit, Shqipëria sigurisht do të shpresonte që të kishte dhe një zgjidhje të drejtë në kuptimin e pavarësisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas opinionit tuaj çfarë roli konkret mund të luajë Tirana në negociatat për statusin e Kosovës?

ALBERT RAKIPI
Siç është bërë e qartë nga qeveria shqiptare, unë nuk besoj se do të ketë një rol të drejtpërdrejtë si të thuash, në pikëpamjen e të marrit pjesë në proces, Por prezantimi i qëndrimit të Shqipërisë në institucione ndërkombëtare të rëndësishme, në qëndra ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqipëria është shtet i pavarur dhe sigurisht ka mekanizma dhe instrumenta të tjera për të paraqitur qëndrimin e vet lidhur me Kosovën. Bashkimi Evropian, NATO, Grupi i Kontaktit. Pra një qëndrim i Shqipërisë, i cili bazohet në nevojën reale të stabilitetit të Ballkanit. Pavarësisht nga fakti që Shqipëria nuk do të ketë një rol në negociata, ajo mund të inkurajojë një qëndrim pozitiv, të influencojë për aq sa mund të influencojë në lidershipin politik të Kosovës për të shkuar drejt një zgjidhjeje optimale. Një zgjidhjeje funksionuese racionale që i jep stabilitet. Pra unë e shoh rolin e Tiranës në këtë këndvështrim. Që paraqet në mënyrë të qartë pa ekuivoke qëndrimin e saj, i cili nuk tregon, nuk nënkupton një pjesëmarrje direkte, por mbështet pavarësinë e Kosovës në pikëpamje, sepse ky opsion i jep stabilitet, i jep siguri rajonit të Ballkanit.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është opsioni përfundimtar që ka instituti juaj për statusin përfundimtar të Kosovës? Prishtina insiston për pavarësinë e plotë, Beogradi tashmë ka hedhur idenë e ndarjes së Kosovës, ndërsa një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare apostrofon pavarësinë e kushtëzuar. Cili është komenti juaj për gjithë këto teza?

ALBERT RAKIPI
Unë mendoj se opsioni natyral, opsioni që i jep stabilitet, opsioni që mund ta bëjë Kosovën të funksionojë si një entitet, po flas nga pikëpamja e funksionimit si një entitet, po flas nga pikëpamja e shtetshmërisë, është padyshim pavarësia e Kosovës. Teorikisht nuk ekziston ndonjë formulë e ndërmjetme midis këtyre dy pozicioneve. Për elitën politike serbe është e vështirë për ta pranuar de jure një realitet dhe ky realitet është pavarësia e Kosovës nga Serbia. Por unë besoj se komuniteti ndërkombëtar, qëndrat e rëndësishme ndërkombëtare, aktorët ndërkombëtarë, përfshirë dhe qëndrat siç janë Grupi i Kontaktit dhe Këshilli i Sigurimit, do të udhëhiqen në gjetjen e formulës të statusit të Kosovës nga pyetja se cili opsion realisht mund të krijojë një shtet funksionues në Kosovë. Pikëpamja ime është që nuk shoh funksion tjetër përveçse pavarësisë së Kosovës. Sigurisht që siç janë shprehur mjaft studjues të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe përfaqësues të administratave perëndimore, kjo pavarësi do të jetë me disa marrëveshje, që nënkupton jo aq mendoj qëndrimin ndaj pakicës serbe në Kosovë, sesa çështjen e kufijve ndërkombëtarë dhe kryesisht në raport me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Pra kufijtë e Kosovës do të jenë kufij ndërkombëtarë në raport me këto dy vende, përfshirë natyrisht edhe Serbinë.

Intervistoi Suela Musta

XS
SM
MD
LG