Ndërlidhjet

KOSOVA ËSHTË VENDI MË I DËMTUAR NGA REGJIMI I VIZAVE TË BRUKSELIT, POHOJNË ZYRTARËT NË PRISHTINË


Albana Isufi, Prishtinë

Për të siguruar një vizë për vendet e Bashkimit Evropian apo shtetet e tjera perëndimore, kosovari kalon shumë kohë nëpër procedura të veçanta.
Gjermania dhe Zvicra janë ndër vendet e pakta, që lëshojnë viza në Kosovë, ndërkohë që për shtetet e tjera, një qytetar i Kosovës duhet të aplikojë për vizë në ambasadat e shteteve përkatëse të vendosura në vendet e rajonit. Kreshnik Sylejmani është një nga ata që ka kaluar nëpër këto procedura.
“Në Kosovë nuk ka mundësi për t'u marrë vizë përveçse në zyrën gjermane dhe në zyrën zvicerane, të cilat janë dy zyra ndërlidhëse këtu. Kryesisht kam shkuar në Shkup dhe në Tiranë
Lirie Ahmetxhekaj rrëfen për vështirësitë, që kanë pasur fëmijët e saj.
“Mendoj që është një procedurë e gjatë dhe shumë e mundimshme. Fëmijët e kanë provuar por nuk kanë patur sukses për Gjermani."
Regjimi i ashpër i vizave i BE-së për vendet e Ballkanit perëndimor është theksuar në raportin e fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Por, shefi për informim i zyrës së kryeministrisë, Syle Ukshini, pohon se nga i tërë rajoni, Kosova pëson më së keqi.
“Sigurisht se është e lidhur dhe e kushtëzuar dhe nga fakti se Kosova nuk e ka çështjen e statusit të përcaktuar, nuk ka përfaqësi të vetat në vendet e huaja, nuk ka Ministrinë e Jashtme dhe gjithë këto faktorë reflektohen sigurisht në gjithë këto vështirësi".
Problem tjetër të madh për kosovarët deri vonë ka paraqitur mosnjohja e dokumenteve të udhëtimit të UNMIK-ut nga ana e shteteve të huaja. Megjithatë, zëdhënësi i UNMIK-ut Neeraj Singh thotë se tani 39 shtete njohin zyrtarisht këtë dokument.
Së fundi Sllovakia është bërë vendi i 40-të që pranon këtë dokument edhe pse ende nuk e ka zyrtarizuar këtë vendim.
“Nuk është vetëm UNMIK-u, por secili shtet, që dëshiron njohjen e dokumentit të udhëtimit, ose sigurimin e vizave për qytetarët e vet, e aranzhon këtë në mënyrë të dyanshme. Ne jemi vazhdimisht duke i kontaktuar ato shtete në të cilat kosovarët udhëtojnë zakonisht. Por në fund të fundit, ky është vendim i shtetit të caktuar, nuk është dicka që mund të detyrohet, por duhet të ketë marrëveshje bilaterale”, tha Neeraj Singh.
Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka thënë se politika e vizave që Bashkimi Evropian zbaton ndaj vendeve të Ballkanit perëndimor kontribuon për getoizimin e rajonit dhe i minon përpjekjet e Ballkanit për reforma dhe stabilitet.
Në raportin e tij Grupi Ndërkombëtar i Krizave thotë se të metat sklerotike të kësaj politike i rrezikojnë objektivat e integrimeve të mëtejme evropiane dhe i dëmtojnë shpresat e këtyre vendeve për anëtarësimin eventual në BE.

XS
SM
MD
LG