Ndërlidhjet

SERWER:"NDARJA NË VIJA ETNIKE NUK ËSHTË ZGJIDHJE PËR KOSOVËN"


Daniel SERWER, Drejtor i Institutit për Operacionet Paqësore /SHBA/

RADIO EVROPA E LIRË
Fillimisht dëshirojmë mendimin e juaj lidhur me vizitën e zotit Ahtisari në Kosovë dhe në rajon gjatë javës së kaluar. Pra, si e vlerësoni fillimin e porcesit për statusin e Kosovës?

DANIEL SERWER
Mendoj se zoti Ahtisari ka bërë një fillim të mirë dhe mendoj se është mirë që gjërat kanë nisur. Unë ende jam i brengosur se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk po japin mbështetje të mjaftueshme. Besoj se Kombet e Bashkuara të vetmuara nuk kanë mundësi ta zgjidhin këtë problem, që kërkon mbështetje shumë të fuqishme nga Uashingtoni dhe Brukseli.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë aspekt, si i shihni ju Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian duke punuar së bashku, siç keni thënë shumë herë, për çështjen e Ballkanit, e veçanërisht për Kosovën?

DANIEL SERWER
Mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të ulen së bashku dhe të vendosin se çfarë përfundimi dëshirojnë nga këto diskutime. Deri tash, Grupi i Kontaktit ka aritur disa konkluzione, por duke mos thënë asgjë për përfundimin e mundshëm. Ajo që duhet është një vendim pozitiv lidhur me atë se çfarë epilogu është i pranueshëm për Shtetet e Bashkuara dhe për Bashkimin Evropian. Unë ende nuk kam parë se diçka e tillë ka ndodhur.

RADIO EVROPA E LIRË
Duket sikur ju keni një hezitim lidhur me rolin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Përse?

DANEIL SEWER
Po. Kombet e Bashkuara nuk kanë të arritura të mëdha politike në Ballkan. Ka të arritura shumë të mira në implementimin e vendimeve që janë marrë. Për shembull, dështoi në Bosnjë kur nga ajo u kërkua që ta ndalë luftën. Por, kur lufta përfundoi, OKB-ja bëri punë të mirë në pjesëmarrje dhe në implementimin e marrëveshjes së Daytonit. Ka edhe shumë shembuj të tjerë kur Kombet e Bashkuara ishin shumë të suksesshme në implementim, por jo në vendim-marrjen themelore politike. Ka disa arsye që e them këtë. Njëra është se OKB-ja është organizatë e shteteve sovrane dhe duke qenë e këtillë, vendimet e saja do të jenë në favor të shteteve sovrane dhe, rrjedhimisht, unë realisht nuk e shoh OKB-në si plotësisht neutrale në situatën e Kosovës. Vendimet e rënda politike duhet të merren nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, kush do të vendosë përfundimisht për statusin e Kosovës?

DANIEL SERWER
Vendimi përfundimtar do të merret në Këshillin e Sigurimit, por propozimet duhet të hartohen nga Brukseli dhe Uashingtoni. Pastaj, detajet duhet të diskutohen me Beogradin dhe Prishtinën. Mëtutje, Grupi i Kontaktit, Prishtina dhe Beogradi së bashku do të shkojnë në Këshillin e Sigurimit. Na pëlqeu kjo apo jo, ky është një lloj procesi që unë e parashoh. Nuk parashoh domosdoshmërisht shumë takime të drejtëpërdrejta ndërmjet Beogradit e Prishtinës. Nëse ato janë të nevojshme ato do të duhej të ndodhnin, por më duket se një diplomaci shetitëse, me të cilën ka filluar Marti Ahtisari, është qasje e drejtë. Por, ajo që ende nuk po e shoh, është pjesëmarrja e fuqishme, e nivelit të lartë, me peshë politike e Shteteve të Bashkuara dhe e Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ahtisari tha në Prishtinë se mandati i tij është që të punoj për statusin e ardhshëm të Kosovës e jo për atë final. Nga pikëpamja juaj çka do të thotë kjo dhe si i përshkruani ju të dy këto terma?

DANIEL SERWER
Mendoj se është krejtësisht e qartë se çfarëdo që të jetë statusi pasues, ai do të jetë një status që do t'i ketë disa aspekte, që janë kalimtare. Për shembull mendoj se nuk ka shumë njerëz në Kosovë, shqiptarë ose serbë, që dëshirojnë ta shohin tërheqjen e të gjitha trupave të jashtme. Me gjasë ato dotë mbeten . Mendoj se çfarëdo që të jetë statusi i ardhshëm, çështja e sovranitetit duhet të zgjidhet. Kjo çështje nuk duhet të mbetet e paqartë ose për një vendim të ardhshëm. Çështja e sovranitetit është thelbësore dhe duhet të zgjidhet.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, si do të vendoset për këtë, siç thoni ju, çështje të sovranitetit.

DANIEL SERWER
Në themel, çështja e sovranitetit është se kush dhe çfarë është fuqia sovrane në Kosovë...Pra a është kjo fuqi sovrane për tërë Kosovën apo vetëm për një pjesë të saj. Bashkësia Ndërkombëtare dhe Grupi i Kontaktit janë shprehur për parandalimin e ndarjes. Por, në fakt, ata nuk kanë bërë asgjë për ta parandaluar ndarjen. Tashmë Kosova është faktikisht e ndarë ndërmjet territoreve që janë nën kontrollin e Prishtinës dhe ato që janë nën kontrollin e Beogradit. Pra, duhet të merren disa vendime të vështira lidhur me sovranitetin dhe zgjerimin e tij në tërë territorin.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët ndarjen. Presidenti i Serbisë po kërkon ndarjen e Kosovës sipas vijave etnike. Ky qëndrim është kundërshtuar nga Bashkësia Ndërkombëtare dhe nga Institucionet e Kosovës. Si e shpjegoni ju këtë qëndrim ndërkombëtar?

DANIEL SERWER
Mendoj se është konsekuencë e parimit dhe e përvojës. Parimi është se ndërkombëtarët nuk dëshirojnë që zgjidhjen ta mbështesin në ndarjen etniko-territoriale. Ka shumë arsye të mira për këtë gjë. Sipas mendimit tim, ky nuk është parim në harmoni me standardet moderne të të drejtave të njeriut. Por këtu, në këtë qëndrim të Bashkësisë Ndërkombëtare, kemi edhe përvojën, veçanërisht atë nga Bosnja, ku është njëlloj eksperimenti me ndarje etniko-territoriale, në dy entitete. Ky eksperiment në masë të madhe është parë si dështim nga ana e Bashkimit Evropian dhe ata nuk dëshirojnë ta përsërisin këtë.

Intervistoi: Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG