Ndërlidhjet

logo-print

INSTITUCIONET VENDORE KËRKOJNË PARTNERITET DHE JO ADMINISTRIM TË BE-SË


Bashkimi Evropian do të ketë rol të rëndësishëm edhe në Kosovën me status të zgjidhur, mirëpo ky rol duhet të jetë i ndërtuar mbi partneritet dhe jo të zëvendësojë një administrim tjetër mbi Kosovën, thanë sot krerët e institucioneve të Kosovës. Ata i kanë bërë këto komente pas takimeve që kanë pasur me përfaqësuesin e deritashëm të Javier Solanës në Kosovë, Fernando Gentilini dhe me pasardhësin e tij, Torbjorn Solhstrom.
Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova tha se ky rol lidhet me synimin e Kosovës për anëtarësim në BE:
"Roli i BE-së në Kosovë në të ardhmen do jetë i madh, por edhe tash është i rëndësishëm. Pas njohjes së pavarësisë sa më shpejt të bëhemi anëtar të BE-së."
Edhe zoti Gentilini tha se roli i BE-së do të rritet:
"Roli i BE-së vetëm sa mund të rritet me kalimin e kohës, për shkak të perspektivës evropiane të rajonit dhe për faktin se Kosova i takon këtij rajoni", tha zoti Fernando Gentilini, i cili këto ditë largohet nga Kosova, për t’ia lëshuar vendin zotit Torbjorn Solhstorm. Ky i fundit tha se anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian është synim i përbashkët:
"Ne synojmë ta përforcojmë praninë tonë në mënyrë që partneritetin ta bëjmë në mënyrë profesionale në mënyrë që një ditë të arrijmë ambicien tonë të përbashkët për ta parë Kosovën si pjesë të BE-së", tha Solhstorm.
Mirëpo, kryetari i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci ka tërhequr vërejtjen se Kosova nuk do të pranonte kurrfarë përpjekje për ndonjë mision tjetër administrativ në Kosovë:
"BE-ja duhet të marrë rol prijës në proceset e ardhshme, por ne nuk jemi të interesuar për asnjë EUMIK dhe unë u thashë me kënaqësi që edhe me respektin që e kemi nuk do të përqafojmë asnjë rol administrativ të askujt."
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi tha se bashkëpunimi i Kosovës me Bashkimin Evropian, duhet të ndërtohet mbi bazat e partneritetit:
"Unë besoj se do të jetë një rol shumë i madh me vetë faktin që Kosova synon të jetë pjesë e BE-së dhe me faktin se do të absorbojmë të gjitha ato vlera bazike mbi të cilat është krijuar BE-ja dhe demokracia perëndimore, por kushtet konkrete besoj se do të jenë kushte të marrëveshura të partneritetit dhe punës së përbashkët për të ecur përpara."
Bashkimi Evropian aktualisht është i përfaqësuar në Kosovë përmes shtyllës së katërt të UNMIK-ut, ndërsa që nga marsi i vitit 2004 funksionon edhe zyra e zotit Javier Solana në Prishtinë.

Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG