Ndërlidhjet

UNPD-JA PREMTON SE NË VITIN 2015 DO TË ÇRRËNJOSË VARFËRINË EKSTREME


Përfaqësues të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, UNDP, kanë premtuar se deri në vitin 2015 do të çrrënjosin varfërinë ekstreme, e cila në Kosovë prek 12 për qind të popullsisë. Kështu u tha në një konferencë për media, ku u paraqitën rezultatet e projektit për krijimin e vendeve të punës. Frod Mauring, përfaqësues i përhershëm i UNDP-së, tha se Raporti i Zhvillimit Njerëzor, tregon se papunësia në Kosovë arrin në 44 për qind të popullsisë, shifra këto që Kosovën e radhitin në vendin e parë për papunësi në rajon. Ai ndërkaq, tha se kosovarët e moshës 15 deri në 34 vjeç janë më të rrezikuarit në shkallën e papunësisë, ku 50 për qind të papunëve janë të pakualifikuar dhe 50 për qind janë punëkërkues të rinj. Përmes projektit të publikuar sot, janë krijuar 900 vende të punës për gjashtë muaj dhe 800 të rinj janë punësuar për një afat më të gjatë, 200 prej të cilëve u përkasin pakicave kombëtare në Kosovë.
“Komponentja e dytë nxit ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që kanë nevojë për punëtorë të kualifikuar, të marrin në punë të rinj që kanë diplomuar në Qendrat për Aftësim Profesional", tha zoti Mauring duke shtuar se për mes këtij projekti përafërsisht 800 të rinj janë punësuar në 366 kompani private. Sipas tij, nuk mund të ketë zhvillim të vërtetë të shoqërisë pa punësim të qëndrueshëm, dhe siguria në Kosovë dhe rajon nuk mund të arrihet pa vende të punës.
“Kemi synimin tonë për të luftuar varfërinë ekstreme. Deri në vitin 2015 ne jemi zotuar që të çrrënjosim varfërinë ekstreme në Kosovë. Pra ka sfida, por UNDP-ja do të bëjë maksimumin që së bashku me institucionet e Kosovës dhe shoqërinë civile t’i zgjidh këto probleme,” tha zoti Mauring.
Ibrahim Selmanaj, ministër për Punë dhe Mirëqenie Sociale, tha se ministria të cilën e udhëheq, do të mbështes UNDP-në dhe janë të gatshëm të qëndrojnë prapa angazhimeve të tyre. Ai tha se për derisa nuk do të ketë rritje të numrit të të punësuarve, në Kosovë nuk do të ketë mirëqenie sociale.
“Shfrytëzoi rastin që të sjell një mesazh, premtimin se ne do të jemi të gatshëm më gjithë stafin në aspektin profesional që të i’u bashkangjitemi, ta mbështesim dhe të qëndrojmë prapa angazhimeve, në mënyrë që të ndryshojë mirëqenia sociale në Kosovë” tha zoti Selmanaj.
Në projektin i cili ka kushtuar 1.7 milion euro, thuhet se kompanitë që punësojnë të diplomuarit e rinj nga Qendrat për Aftësim Profesional për së paku një vit do të marrin asistencë financiare në rrogat që do t’u paguhen të punësuarve.

Nadie Ahmeti
XS
SM
MD
LG